Festa e Sulltan Novruzit, besimtarët bektashianë festojnë ditën e shënuar. Urimet e politikanëve në Kryegjyshatën Botërore

22/03/2015 00:00

Besimtarët bektashianë kremtojnë ditëlindjen e Imam Aliut, të njohur si Dita e Novruzit. Dita e Sulltan Novruzit njihet si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe.

Kjo ditë nis me urimet më të mira për mbarësi, mirëqënie, paqe. Në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, Kryegjyshi Edmond Brahimaj mbajti ceremoninë e rastit në praninë e shumë besimtarëve.

Për të uruar për këtë ditë të shënuar, në ambientet e Kryegjyshatës zhvilluan vizita edhe drejtuesit më të lartë shtetërorë dhe drejtues të partive kryesore.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, uroi besimtarët për një shoqëri paqësore, ndërsa bëri një thirrje për politikanët shqiptarë që të jenë më afër me problemet e qytetarëve.

“Uroj të gjithë besimtarët bektashianë, por edhe të gjithë ata që e kujtojnë dhe e festojnë sot Sulltan Novruzin. Të forcojmë gjithnjë e më shumë respektin për njëri tjetrin dhe të mbajmë gjallë shpresën për një të ardhme gjithmonë e më të mirë. Të gjithë politikanët të orientohen gjithnjë e më shumë te mirësia, te dashuria, te respekti dhe të punojnë për të rregulluar hallet dhe problemet e njerëzve”, tha Presidenti Nishani.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, e cilësoi Sulltan Novruzin festën simbol të
paqes dhe festën e të gjithëve që simbolizon ripërtëritjen dhe paqen.
Ndërkaq, kreu i Kuvendit evitoi të fliste për aktualitetin politik.

“Në këtë festë që simbolizon ringjalljen, shpresën, ripërtëritjen dhe paqen, uroj të gjithë besimtarët bektashian, por edhe të gjithë shqiptarët sepse këto festa janë të të gjithëve. Kjo është veçoria por edhe krenaria jonë si shqiptarë kudo që jemi. Uroj për më shumë qetësi me njëri-tjetrin dhe në familjet e tyre”, tha kreu i Kuvendit.

Kreu i opozitës, njëkohësisht i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e lidhi festën e këtij viti me përvjetorin e ndërrimit të sistemit komunist në Shqipëri.

“Dua të uroj të gjithë bektashianët shqiptarë, gëzuar festën e Sulltan Novruzit. Në këtë ditë të shënuar ne përkujtojmë edhe një tjetër ditë të shënuar për shqiptarët, 24 vjetorin e demokracisë mbi tiraninë. Unë dua të shpreh besimin tim, se ashtu si shqiptarët u bashkuan 24 vite më parë për të hedhur poshtë diktaturën, po kështu, sot, të ndodhur përballë një tjetër sfide tjetër të madhe, sfida e krimit, të përbashkohemi të gjithë në një përballje kundër krimit në pushtet”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.

Top Channel