Zgjedhjet lokale në Francë, Fronti Kombëtar i favorizuar

22/03/2015 00:00

Francezët u janë drejtuar sot qendrave të votimit për zgjedhjet lokale, në të cilat Fronti Kombëtar i së djathtës ekstreme pritet të shënojë fitore të mëdha.

Votuesit do të zgjedhin përfaqësuesit në 101 departamente ose konte, që përgjigjen për çështje të tilla si shkollat dhe mirëqenia sociale. Raundi i parë i zhvilluar të dielën do të ndiqet nga një tjetër gjatë javës.

Sondazhet sugjerojnë se presidenti socialist Fransua Holond do të pësojë një tjetër humbje, pas disfatave të shënuara në zgjedhjet bashkiake dhe ato të BE-së vitin e kaluar.

Analistët thonë se gara do të jetë mes 3 pretendentëve kryesorë: socialistëve, partisë së qendrës së djathtë UMP dhe Frontit Kombëtar të Marin lë Pen, e cila është tanimë një pretendente serioze për pushtet.

Fronti Kombëtar ka përfituar nga stanjacioni ekonomik, papunësia e lartë dhe pakënaqësia e përgjithshme ndaj partive kryesore.

Socialistët në qeveri dhe aleatët e tyre të majtë pritet të marrin goditjen më të rëndë në këto zgjedhje duke humbur shumë prej 61 departamenteve që kontrollojnë aktualisht. Por, Fronti Kombëtar i ka marrë gjithashtu elektorat edhe UMP-së e cila po përpiqet prej kohësh të unifikohet nën drejtimin e një lideri të vetëm që pas humbjes së Nikolas Sarkozi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012.

Top Channel