Pelegrinazhi në Kishën e Laçit

22/03/2015 00:00

Për 13 të marta, Kisha katolike e Shën Antonit të Padovas dhe shpella e Shën Vlashit bëhen një nga destinacionet e pelegrinëve të të gjitha besimeve. Katolikë, ortodoksë, por edhe muslimanë udhëtojnë drejt këtij vendi në Laç, i kthyer në një vend të shenjtë.

Për më të devotshmit, udhëtimi nis në këmbë. Tringa Pjetri vjen nga Puka dhe ka marrë këtë rrugëtim me vajzën e saj, e cilëson këtë mënyrë si formën ideale dhe të duhurën të pelegrinazhit: “Ne besojmë në Zot dhe në Shna’Nue sepse ka bërë mrekullira në jetën e tij.”

Ndalesa e parë është në shtatoren e Shën Antonit të Padovas, që në dialektin e katolikëve thirret edhe Shna’Nue.

“Vij këtu t’i lutem Zotit që të më ecë mbarë”, thotë një djalë.

Shpella e Shën Vlashit është vendi ku besohet se, kleriku i martirizuar nga Durrësi ka kaluar një kohë të gjatë. Ai është vendi i preferuar i besimtarëve ortodoksë.

“Mendohet se në këtë shpellë është lutur Shën Vlashi. Është një ndër pikat ku besimtarët vijnë dhe luten”, thotë meshtari Frat Fran Perlala.

Rastësisht te ky vend ndodh të ketë edhe takime interesante, me shtetas të huaj.

Mesha e shenjtë dhe fjala që kremtohet gjatë saj i përfshin të gjithë besimtarët dhe është momenti më i rëndësishëm në pelegrinazhin e besimtarëve katolikë.

“Fjala është si Dielli, si shiu… i përfshin të gjithë njerëzit. Fjala të shëron dhe të ngushëllon”, shpjegon frati.

Ndezja e qirijve në shkëmbinjtë rreth kishës, shtatorja e Shën Antonit të Padovas dhe ngjitja deri te kryqi në majën e kodrës janë pjesë e rëndësishme e këtij pelegrinazhi, që ndiqet edhe nga muslimanët.

“Nuk ka të bëjë fare feja. I lutemi Zotit dhe Zoti është një”, thotë një grua muslimane.

E marta është kulmimi i pelegrinazhit, por dyert e tempullit fetar janë të hapur çdo ditë.

Top Channel