Rama inspekton investimet në Sarandë

22/03/2015 00:00

5.6 milionë dollarë është investimi më i fundit i qeverisë në fshatin Bajkaj të Sarandës për ndërtimin e një landfilli rajonal për menaxhimin e mbetjeve të ngurta urbane në bregdetin e jugut.

Ka përfunduar faza e parë e ndërtimit, të cilin e inspektoi kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni. Ky landfill është projektuar të ketë një kapacitet përpunues prej 365,000 m3 mbetje dhe është llogaritur për depozitimin e 25 000 m3/vit.

“Qëllimi i parë është të pastrohen të gjitha vatrat e infektuara nga vendgrumbullimet pa asnjë standard dhe nga plehrat e mbledhura kuturu nëpër vite. I gjithë ky thesar turistik të çlirohet nga makthi i plehrave që kanë dëmtuar imazhin edhe dëshirën e shumë turistëve për të ardhur në këtë zonë. Kjo është një pikë kthese historike për zonën dhe turizmin në Shqipëri”, deklaroi Rama.

Gjatë qëndrimit në Sarandë, kryeministri inspektoi edhe punimet për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza, i cili synon zgjidhjen përfundimtare nga ndotja e ujërave dhe shkarkimi i tyre në bregdetin e Sarandës dhe Ksamilit.

“Ky është një investim që çliron Sarandën dhe Ksamilin bashkë, edhe që kishte vite të tëra i bllokuar. Para të hedhura, si në shumë projekte të tjera me financime të huaja, pa marrë parasysh as si do të funksionojë, as si do të mirëmbahet. Është gjë e madhe që u vu në punë. Tani, me investimin e fundit, për të bërë lidhjen deri te hotel “Butrinti”, përfundon dhe mbyllet skema dhe s’ka më ujëra të zeza të hedhura nëpër det”, u shpreh Edi Rama.

Gjithashtu, në Sarandë kryeministri Rama u ndal edhe në Kurorën e Gjelbër të qytetit, ku qeveria, nëpërmjet një ivestimi 16.6 milionë lekë, synon pyllëzimin dhe gjelbërimin e kurorës së Sarandës.  

Aktualisht, ajo është pasuruar me 22 mijë pisha dhe 4200 selvi. Në vitin e parë të qeverisjes, tha kryeministri Rama,  kemi mbjellë në tërë Shqipërinë 2.5 milionë fidanë. Objektivi është që deri në fund të mandatit të shkojmë në 10 milionë.

Ndërsa në Qeparo kryeministri pa ndërtimet që po kryhen për  shëtitoren  buzë detit. Projekti parashikon sistemimin e infrastrukturës nëntokësore, ndërtimin e trotuareve dhe ndriçim.

“Ne jemi të vetëdijshëm që ka ende shumë për të bërë, por jam i bindur se të gjithë ata që do të vinë në këtë sezon në bregdet dhe posaçërisht në Qeparo, do të shohin me sytë e tyre se, transformimi i filluar premton shumë. Rilindja shqiptare në këtë zonë kaq të pasur do të sjellë çka i ka munguar zonës dhe të gjithë vendit për 20 vjet të tëra”, tha zoti Rama.

Kryetari i Bashkisë së Himarës theksoi se kësaj zone i kanë munguar investimet nga qeveritë e mëparshme.

“Investimet që po bëhen në zonën tonë po transformojnë rrënjësisht pamjen dhe i krijon mundësi të gjithë qytetarëve, të gjithë banorëve, ta shijojnë dhe të rrisin investimet e tyre për turizmin”, tha kreu i bashkisë së Himarës.

Top Channel