Përvjetori i 22 marsit 1992, Basha: Me shqiptarët të bashkuar t’i japim vendit të ardhmen

22/03/2015 00:00

22 marsi është për demokratët dita simbol e fitores së demokracisë. 23 vjet më parë, partia e parë opozitare erdhi në pushtet me një votë plebishitare, nën moton për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

23 vjet më pas, demokratët janë në vitin e dytë të opozitës, pas një vendimi plebishitar të një milion votuesve, por sërish ata e shohin veten me një mision.

Nëse dy dekada më parë fituan duke përmbysur një rregjim diktatorial; ose siç thotë kryetari aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, fitoi demokracia mbi tiraninë; tani demokratët kanë një sfidë tjetër: ndarjen e shtetit nga krimi.

Siç shkruan zoti Basha në Facebook, kjo sfidë i gjen të bashkuar shqiptarët, të gatshëm për t’u përballur dhe për të fituar ndaj krimit në pushtet dhe dhunimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë, rrënimit të ekonomisë dhe rritjes së varfërisë.

“Shqiptarët, të bashkuar në 22 marsin e ’92-shit, ia dolën të fusin Shqipërinë në familjen e vendeve demokratike të Europës dhe ta shkëpusin njëherë e përgjithmonë vendin nga diktatura komuniste”, shkruan kreu i opozitës, i cili beson se “me shqiptarët përsëri të bashkuar, Partia Demokratike do t’i japë vendit të ardhmen që meriton, punë, siguri dhe dinjitet”.

Top Channel