Ngjarja në Tunizi, presidenti: I treti është në arrati

22/03/2015 00:00

Jehona e sulmit mbi muzeun e Bardosë vazhdon, e në një intervistë të drejtpërdrejtë televizive Presidenti i Tunizisë e pranoi se agresori i tretë është ende në arrati.

“Sulmuesit kanë qenë 3. Njëri prej tyre shpëtoi e është diku atje jashtë, por nuk ka për të shkuar larg”, ishte deklarata e Beji Caid Essebsi. Menjëherë pas episodit të rëndë, që u mbyll me 25 të vdekur, disa nga të dyshuarit u vunë në pranga nga policia, por deri tani mendohej se agresorët kishin qenë vetëm dy.

“Përkundrejt asaj çfarë mendohej deri tani, sulmuesit kanë qenë 3, sepse janë filmuar nga kamerat e sigurisë. Kemi kërkuar ndihmën e njerëzve të thjeshtë për identifikimin e këtij personi, sepse të gjithë kanë interes në gjetjen e tij”, tha Beji Caid Essebsi, president i Tunizisë.

Në intervistën e dhënë për një media franceze, kreu i shtetit tunizian përmendi planet për ngritjen e një monumenti në kujtim të viktimave. Autorët e sulmit tronditës besohen të jenë stërvitur në Libi, në një zonë të kontrolluar nga militantët e Shtetit Islamik.

ISIS-i vetë pretendon se, pas mësymjes së muzeut të ndodhur pranë ndërtesës së Parlamentit qëndrojnë pikërisht xhihadistët. Personat e armatosur, që shihen në pamjet filmike të shpërndara nga autoritetet vendase, janë identifikuar si Yassine Laabidi dhe Hatem Khachnaoui.

Që të dy mbetën të vrarë në shkëmbim zjarrin me forcat e sigurisë brenda godinës. Në një pohim të mëhershëm për “Paris Match”, Essebsi kishte rrëfyer se të metat në sistemin tunizian të sigurisë nënkuptonin, që shërbimi i policisë dhe ai i inteligjencës nuk kishin bërë sa duhet për mbrojtjen e muzeut.

Por sërish u kujdes të shtonte se shërbimet e sigurisë reaguan me efikasitet të lartë ndaj sulmit, duke ndihmuar kështu në shpëtimin e dhjetëra jetëve.

Top Channel