Incident në ndeshjen Apolonia-Tirana, portieri serb i merr nga dora flamurin shqiptar një tifozi

22/03/2015 00:00

Portieri Vilson Cakoviç me një gjest të panevojshëm dhe të shëmtuar ndaj flamurit tonë kombëtar u bë krejt papritur protagonist i ndeshjes Apolonia-Tirana dhe i fundjavës sportive në Shqipëri.

Në momentin kur Tirana bëhej gati për ekzekutimin e 11-metërshi, në fushë u fut një tifoz, i cili shpalosi flamurin kombëtar me mbishkrimin “Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri”.

Ndërkohë që lojtarët në fushë e mirëpritën të qetë këtë gjest, Cakoviç la portën dhe ia rrëmbeu flamurin tifozit në një mënyrë ku dukej qartë mungesa e respektit ndaj simboleve tona kombëtare.

Ky veprim i portierit serb solli reagimin e menjëhershëm të lojtarëve të Apolonisë dhe Tiranës dhe më pas irritimin e dy tifozërive, të cilët me kore ofenduese kërkonin ndërrimin e tij. Trajneri i Apolonisë Mërgjyshi e ndëshkoi menjëherë portierin e tij duke e nxjerrë atë nga fusha.

Pavarësisht reagimit të ashpër të tifozërisë, edhe pas ndeshjes portieri serb shfajësohet me faktin se ishte i fokusuar te ndeshja dhe nuk pa se çfarë kishte tifozi në dorë.

Ndeshja Apolonia-Tirana përfundoi me fitoren 2-0 të bardhebluve. Golat për skuadrën e Maganit u shënuan nga Mario Morina (11-metërsh) dhe Gentian Muça.

Top Channel