IHAS: Qeveria “Mustafa” ka ngecur në kompletimin e kabinetit

22/03/2015 00:00

Instituti për Hulumtime dhe Analiza Sociale vlerëson se Qeveria “Mustafa” ka ngecur në kompletimin e kabinetit qeveritar dhe në miratimin e planit qeveritar.

Sipas tyre, disa nga ngecjet e tjera të kësaj qeverie në 100 ditshin e saj, dalin të jenë bordet e politizuara, zgjedhja e kryeprokurorit të shtetit dhe ndikimet politike, mos transparenca publike dhe fusha e diplomacisë.

Shqetësuese sipas IHAS janë njohjet për vendin që për 100 ditë nuk është arritur asnjë njohje. IHAS ka parashikuar edhe sfidat të cilat e presin këtë qeveri. Ata mendojnë se transformimi i FSK-së në ushtri, votimi i Gjykatës Speciale, projektligji për Trepçën dhe kthimi i qytetarëve që lëshuan Kosovën në muajt e fundit, janë puna më e madhe që e pret këtë qeveri.

Zvogëlimi i shpenzimeve qeveritare, ulja e TVSh-së për mallra dhe produkte esenciale dhe falja e borxheve publike janë tri të arriturat, që sipas IHAS-it janë bërë gjatë 100 ditëve të qeverisjes së Isa Mustafës.

Sipas IHAS sfidat e kryeministrit Mustafa filluan me mos koordinimin e tij me anëtarët e partisë që ai drejton.

Si sfidë të madhe ata kishin renditur edhe listën serbe, përkatësisht protestat e qytetarëve të Kosovës kundër ministrit Jabllanoviç, të cilat rezultuan me shkarkimin e këtij të fundit.

Moment kritik për qeverinë, sipas këtij hulumtimi del të jetë edhe projektligji për Trepçën. Ky hulumtim është realizuar në formë të bashkëbisedave me profesorë universitarë, njëkohësisht njohës të çështjeve politike, emrat e të cilëve nuk u bënë publik.

Top Channel