Helikopteri i forcave të Assad rrëzohet në zonën e mbajtur nga rebelët

22/03/2015 00:00

Një helikopter i Qeverisë siriane u rrëzua në një zonë të kontrolluar nga rebelët në veriperëndim të vendit. Lajmi është bërë i ditur nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Helikopteri u rrëzua në Xhebel el-Zawiya në krahinën Idlib, një zonë e cila mbahet nga luftëtarët e opozitës, në të cilën bën pjesë edhe Fronti al-Nusra. Bëhet e ditur se 4 anëtarë e ekuipazhit të helikopterit janë kapur nga rebelët, një i pestë është vrarë, ndërsa fati i një tjetër personi nuk dihet.

Më shumë se 200 mijë persona janë vrarë që prej fillimit të luftës civile në Siri, 4 vite më parë, ndërsa rreth 11 milionë të tjerë janë detyruar të braktisin banesat e tyre.

Sipas Observatorit sirian, helikopteri është detyruar të bëjë ulje të detyruar pas një problemi teknik pranë qytetit verior të Maarat al-Numan.  

Lajmi është konfirmuar nga televizioni shtetëror sirian, i cili tha se një helikopter i ushtrisë bëri ulje të detyruar në veriperëndim të Sirisë dhe për anëtarët e ekuipazhit është duke u zhvilluar një operacion kërkimi.

Qeveria siriane shpesh është akuzuar për sulme ajrore në zona të ndryshme në vend, në shkelje të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Top Channel