Portieri i Apolonisë: Nuk e dija që ishte flamuri shqiptar

22/03/2015 00:00

Pas incidentit të ndodhur në ndeshjes mes Apolonisë dhe Tiranës, portieri serb i fierakëve foli për Supersport, duke thënë se nuk e kuptoi se çfarë flamuri po mbante në duar tifozi.

Vilson Cakoviç u përpoq të justifikonte veprimin e tij duke shtuar se tentoi të largonte tifozin që hyri në fushën e lojës.

“Jam paksa nervoz për këtë çështje. Unë dua thjesht të luaj, nuk kam problem me flamurin. Doja thjesht të largoja personin që kishte hyrë në fushë dhe të luaja futboll. Nuk e dija që ishte flamuri shqiptar. Unë e njoh flamurin tuaj, por nuk e kuptova që flamuri që mbante personi në duar ishte flamuri i Shqipërisë, sepse ai e pengonte me trup”, është shprehur portieri serb.

Cakoviç ka shtuar se asnjëherë nuk ka pasur probleme në qytetin e Fierit, apo edhe në stadiumet e tjera të rretheve ku ai ka luajtur, madje ai ka thënë se është mbështetur duke u cilësuar si lojtari më i mirë i ekipit.

Top Channel