Anemia te fëmijët e varfër, kequshqyerja, problem në zonat rurale

22/03/2015 00:00

Gjendja e vështirë ekonomike me të cilat përballen shumë familje, rëndon më së shumti te fëmijët e vegjël.

Studimet e fundit tregojnë se fëmijët nën 5 vjeç, që  jetojnë në familje të varfra janë më të predispozuar për të prekur nga anemia si pasoje e kequshqyerjes. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se më shumë se 19 % e fëmijëve  që jetojnë në këto familje me fare pak të ardhura dhe që janë nën 5 vjeç rezultojnë anemik.

Ekspertet e shëndetësisë e vënë theksin te rëndësia cilësore e ushqimit të fëmijëve, çka tek familjet e varfra, që jetojnë me ndihmë ekonomike është e vështirë. Edhe statistikat tregojnë se në zonat rurale kemi një numër më të lartë të fëmijëve që janë prekur nga anemia, si pasojë e kequshqyerjes.

Një grup ekspertësh kanë propozuar që në familjet me fëmijë nën pesë vjeç që jetojnë me ndihmë ekonomike, e cila shkon në 8 mijë lekë në muaj, nëse është e plotë, t’u ofrohet paketa ushqimore dhe e mikronutrienteve, në mënyrë që të përmirësohet ushqyerja për fëmijët dhe nënat shtatzëne.

Mungesa e ushqimeve me vitamina dhe minerale ka bërë që në pjesën më të madhe të familjeve që jetojnë në zonat rurale dhe që kanë probleme të mëdha ekonomike të kenë fëmijë që vuajnë nga anemia.

Sipas statistikave, për shkak të kequshqyerjes dhe mosmarrjes së sasisë së duhur të vlerave ushqimore, rreth 28 për qind e fëmijëve nga 0 deri në 5 vjeç në zonën e Veriut, si edhe 18 për qind e tyre në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut, nuk kanë parametrat normalë të zhvillimit, pasi rezultojnë më të shkurtër se normalja.

Top Channel