SHBA, gara për Presidencën, Cruz bëhet kandidati i parë

23/03/2015 00:00

Vendi pak rëndësi ka për të, por koha e zgjedhur prej senatorit amerikan Ted Cruz për hyrjen zyrtare në betejën e presidencialeve të vitit 2016 është plot kuptim, pasi synon katapultimin në krye të grupit të konkurentëve për nominimin republikan.

Duke u kthyer në kandidatin e parë që vetëdeklarohet zyrtarisht në garë, Cruz shpreson të tërheqë vëmendjen dhe afeksionin e atyre brenda partisë që preferojnë rivalë të tjerë. Strategu republikan Dave Carney thotë: “Parimi është i thjeshtë: ai kërkon të jetë i pari, të hyjë në diskutime, të mos tregojë asnjë shenjë dyshimi apo hezitim. Për ata që janë të parët, ka gjithmonë një avantazh.”
 
Qëllimin për të hyrë në garën e nominimit, Cruz e bëri publik mëngjesin e sotëm përmes një mesazhi të postuar në rrjetin social Twitter.

“Do të kandidoj për president dhe shpresoj të fitoj mbështetjen tuaj”, sqaroi senatori republikan në një video të shkurtër. 44-vjeçari i zgjedhur në Dhomën e Lartë të Kongresit Amerikan në vitin 2012, u bë i famshëm falë përpjekjeve për të bllokuar fondet e reformës së Barak Obamës në shëndetësi. Taktikat e tij çuan në mbylljen e pjesshme të qeverisë federale, zhvillim ky që e bëri Cruz-in një fjalë me katër gërma aspak të parëndësishme për lidershipin e partisë.

Këto muajt e fundit megjithatë, figura e Cruzit është eklipsuar disi nga kandidatë të tjerë potencialë republikanë në garën fillestare për donatorë, staf, vullnetarë e mbulim mediatik. Në fokus është vendosur sidomos Guvernatori i Wisconsin, Scott Walker, ndërsa me interes shihet edhe alternativa e ofruar nga ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush apo Chris Christie i New Jersey-t.

Të tjerë senatorë republikanë me sytë nga Shtëpia e Bardhë janë Rand Paul dhe Marco Rubio, ndërsa në kampin tjetër pritet gjerësisht shpallja e kandidaturës së Hillary Clinton-it për nominimin e Partisë Demokrate.

Top Channel