Meta takon kryeprokurorin kroat: Reforma në drejtësi, një prioritet për vendin tonë

23/03/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u takua sot me Prokurorin e Përgjithshëm
të Kroacisë, Dinko Cvitan, me të cilin bisedoi rreth reformave në
fushën e drejtësisë dhe luftës ndaj korrupsionit e krimit të
organizuar.

Kryeparlamentar Meta theksoi se, reforma në fushën e drejtësisë është një prioritet për Shqipërinë, ndaj “vendi ynë mund të marrë eksperiencë nga Kroacia për reformimin e sistemit të drejtësisë”.

“Jemi në të njëjtin rajon dhe mund të marrim përvojë nga Kroacia. Reforma në sistemin e drejtësisë është një prioritet për vendin tonë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është prioriteti ynë në radhë të parë, edhe në kuadër të procesit të integrimit europian”, theksoi Meta, i cili shprehu mbështetjen për forcimin e shtetit ligjor dhe të institucionit të Prokurorisë.

Ndërkaq, kryeprokurori kroat, Cvitan shprehu gatishmërinë e Kroacisë për të kontribuar me eksperiencën dhe ekspertët e saj për të ndihmuar në forcimin e shtetit ligjor dhe në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

“Jemi të gatshëm të kontribuojmë me përvojën dhe ekspertët tanë më të mirë në forcimin e shtetit ligjor dhe në rrugën tuaj drejt BE-së”, ka nënvizuar Cvitan.

Top Channel