PD shpalos tezat e dekriminalizimit: Largim të menjëhershëm zyrtarëve të inkriminuar

23/03/2015 00:00

Të mërkurën, Partia Demokratike do të paraqesë një propozim për ndryshimin e Kushtetutës, që ka për qëllim ndërprerjen e mandatit të çdo deputeti që verifikohet me rekorde kriminale.

Tre anëtarët demokratë të komisionit përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit besojnë se paltforma e opozitës është ajo që mbyll çdo mundësi që krimi të depërtojë në Parlament edhe në të ardhmen.

Sipas Oerd Bylykbashit, një nga negociatorët e marrëveshjes me mazhorancën dhe Parlamentin Europian, kjo formë e dekriminalizimit është një përvojë e konsoliduar demokratike në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Itali dhe Australi.

“Duke u bazuar në këto praktika, ne do të ndërhyjmë për të ndërprerë mandatin nga momenti që verifikohet ekzistenca e rekordit kriminal për persona të cilët janë në Parlament”, deklaroi Bylykbashi.

Synimi tjetër i platformës së dekriminalizimit të Partisë Demokratike është ndalimi që në këto zgjedhje i pjesëmarrjes së personave me rekorde kriminale.

“Do të përdoren rekordet kriminale jo vetëm të dënimeve në Shqipëri por edhe jashtë, në mënyrë që të mos ketë asnjë lloj mundësie që në të ardhmen personat me të dhëna kriminale të tmerrshme të mos kenë mundësi të penetrojnë në institucionet shqiptare”, theksoi Bylykbashi.

Për Gent Strazimirin, një nga protagonistët e PD në çështjen e dekriminlaizimit, shndërrimi i kësaj kauze të opozitës në kauzë të shoqërisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë është nje nga arritjet madhore të opozitës. Pjesa tjetër, sipas tij, i përket vullnetit politik të mazhorancës.

“Sot në këtë kauzë, në të cilën është tërhequr zvarrë edhe qeveria, e vetmja gjë që i mbetet të vërtetojë për suksesin e saj është vullneti politik. Nëse ata nuk kanë vullnetin politik për t’i dhënë zgjidhjen e duhur kësaj kauze tashmë të shqiptarëve dhe të partnerëve euroatlantikë, sigurisht që zgjidhja do të jetë politike”, deklaroi Strazimiri.

Pranimin e këtyre propozimeve, qoftë edhe me ndryshime, por pa prekur thelbin, Partia Demokratike e sheh si shansin e fundit për një bashkëjetesë normale politike me kryeministrin Rama.

“Nuk mund të marr me mend vullnetin politik të zotit Rama, sepse ky vullnet i tij dhe jo padija e tij i ka sjellë kriminelët në Parlament. Për mendimin tim, ky është shansi i fundit për të dhe për këdo tjetër që i ka shkuar në mend se demokracinë e këtij vendi mund ta mbysë përmes krimit, të organizuar apo të çorganizuar. Nëse zoti Rama thotë po, atëherë ka gjënë më të thjeshtë për të bërë dekriminalizimin e Parlamentit dhe administratës”, tha Strazimiri.

Top Channel