Basha: Qeveria bllokoi Tiranën qëllimisht

23/03/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë se po realizon projekte korruptive, duke shpenzuar paratë e taksapaguesve shqiptarë, ndërkohë që pengon projekte të rëndësishme të Bashkisë në interes të qytetarëve.

Basha ishte në një lagje periferike të Tiranës, ku nisën punimet për rikonstrukionin e rrugës falë fondeve të BE-së akorduar që në vitin 2012 nga qeveria shqiptare, për të përmirësuar infrastrukturën në zonat më të diskriminuara që, sipas Bashës, janë njësia bashkiake 4 dhe ajo numër 8 në Tiranë.

“Shpërdorimi i fondeve për palma të shtrenjta, për të vënë e për të hequr shtylla elektrike është një krim i rëndë, veçanërisht në këtë kohë krize, e shkaktuar nga rritja e taksave, rritja e çmimit të energjisë dhe karburantit nga qeveria Rama. Është korrupsion i përmasave të papara, por bëhet më i rëndë kur qytetarët po vuajnë për bukën e gojës, kur qytetarët kërkojnë dhe nuk gjejnë punë, kur qindra prej tyre largohen nga puna, sepse punëdhënësit e kanë të pamundur t’i mbajnë në bordero në kushtet e një krize ekonomike që po kaplon vendin”, u shpreh Basha.

Janë 3.5 milionë euro dhënë nga BE-ja për vendet në proces anëtarësimi për përmirësimin e infrastrukturës që, sipas Bashës, do të përdoren për ndërtimin e 18 rrugëve dytësore, për ndërtimin e një shkolle, çerdheje dhe një qendre sociale.

Basha iu rikthye sërish projekteve të parealizura nga Bashkia, që sipas tij, janë 86 të tilla të bllokuara nga kreu i qeverisë Edi Rama: “Përkundër bllokimeve, kemi realizuar deri më sot afro 200 objekte të ndryshme: rrugë, trotuare, sheshe, shkolla, kopshte… Shumë të tjera i kemi në proces, por ndërkohë, prej qershorit të vitit të kaluar, qeveria, në mënyrë të paligjshme bllokon investimet e reja të qytetit të Tiranës. Mbi 86 projekte që janë gati për të nisur, sot po mbahen peng nga Edi Rama, nga ish-kryetari i Bashkisë, i cili për 11 vite nuk i shtroi këto rrugë ose i shtroi keq”.

Kryetari Basha, ndonëse nuk konfirmon nëse do të jetë sërish kandidat i të djathtëve për Bashkinë e Tiranës, shprehet i sigurtë se bllokimet që sipas tij janë bërë nga kreu i qeverisë, do të jenë përgjigje për të në zgjedhjet e 21 Qershorit.

Top Channel