Premtime shumë, një fitore dërrmuese, por tani duhen rezultate dhe pritshmëritë nga Aleksis Tspiras janë të larta. I mbushur me përçmim, Evangjelis Venizelos u ngjit në foltoren e Parlamentit grek e vuri në lojë anëtarët e qeverisë së re të majtë, thotë ‘New York Times’.

Ata premtuan të zhbënin masat e rrepta anti-krizë të vendosura prej vetë Venizelozit dhe ekzekutivit të mëparshëm; premtuan se Greqia nuk do të gjunjëzohej më përpara huadhënësve europianë. Por, ai që dikur ishte një ministër i fuqishëm dhe mbrojtës i ashpërsisë së kursimit, nuk i kurseu shpotitë në sallën e Parlamentit.

“Po kujt doni t’ia hidhni ju?”, deklaroi me neveri.

“Jeni tmerrësisht të papërgatitur dhe naivë. Qeveria gënjen veten me këto standarte dyfishe që vendos: një gjë i thonë vendit e krejtësisht tjetër gjë i thonë kreditorëve”, shtoi Venizelos.

Edhe pse komentet e Venizelosit janë tepër të hidhura, në to ka një të vërtetë. Pas premtimeve të mëdha për revolucion anti-krizë, kryeministri Aleksis Tsipras dhe partia e tij tani po ndiejnë shijen e ndëshkimit. Edhe pse krerët e Sirizës këmbëngulin se programi i tyre vazhdon të jetë në rrugën e duhur, kjo forcë politike po përballet me një seri problemesh, ndër të cilët është mungesa e parave që janë duke shteruar me shpejtësi.

Lufta e brendshme gjithashtu është bërë më e egër me fraksionet e linjës së ashpër, të irrituar nga disa prej kompromiseve të Tspirasit në negociatat me huadhënësit e huaj. Kritikët si nga e majta dhe e djathta bashkë tani po ngrenë pyetje nëse qeveria ka realisht ndonjë plan të zbatueshëm për rinisjen e rritjes ekonomike.

Financat greke kanë ardhur në përkeqësim, ndërsa ankthi pas-zgjedhor mbi paqartësinë që rrethon dorëzaninë, ka rritur në maksimum nivelin e tërheqjeve bankare. Mbledhja e taksave nga ana tjetër ka rënë ndjeshëm dhe në këtë pikë vihet seriozisht në pikëpyetje aftësia e qeverisë për të përmbushur detyrimet e saj e për të paguar punonjësit e administratës shtetërore.

Top Channel