Kosovë, shpallet konkursi për 15 prokurorë të rinj serbë

23/03/2015 00:00

Këshilli Prokurorial i Kosovës shpall konkursin për 15 prokurorë të rinj nga radhët e komunitetit serb, të cilët do të shpërndahen në të gjithë Kosovën.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Sylë Hoxha tha se kjo vjen si rezultat i marrëveshjes politike të 19 prillit të vitit të kaluar mes Prishtinës dhe Beogradit. Sipas Hoxhës, qëllimi është të integrohen serbët në institucione, në mënyrë që të shuhen institucionet e Serbisë që funksionojnë në territorin e Kosovës.

Anëtarët e tjerë të Këshillit e cilësuan si të padrejtë këtë konkurs, pasi diskriminon pakicat e tjera.

“Nëse Mitrovica ka 200 ose 300 mijë banorë dhe përzgjidhen 9 prokurorë shqiptarë, në anën tjetër kemi 40 mijë serbë, apo në disa rajone nuk kemi fare serbë, dhe aty duhet të pranohen serbët, duke mos marrë parasysh ata 9 prokurorë. Të pranohen anëtarët e tjerë të pakicave, të cilët me shekuj jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës”, tha Idain Smajli, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Unë i kuptoj shqetësimet e Idainit dhe mendoj se të gjitha janë me vend. Në pjesën veriore dhe, pse jo në pjesët e tjera, besoj se do të ketë vend për minoritetet jo serbe, mirëpo në pjesën veriore tani për tani i është mbyllur dera çdo mundësie, që dikush me kombësi jo serbe të marrë një pozitë si prokuror”, tha Sevdije Morina, anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Në prokuroritë kosovare, aktualisht punojnë dy prokurorë nga radhët e komunitetit serb; një në Prishtinë, një në Mitrovicë. Konkursi për rritjen e numrit të tyre është bazuar në nenin 110 të Kushtetutës, i cili thotë se Këshilli do t’i japë përparësi emërimit për prokurorë të anëtarëve të komuniteteve të nënpërfaqësuara në mënyrën e përcaktuar me ligj.

Po kështu, rritja e numrit të prokurorëve serbë vjen si detyrim nga marrëveshja e 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë, e ratifikuar edhe në Kuvendin e Kosovës.

Top Channel