Korçë, vijon prerja masive pa kriter e pyjeve. Drutë, për tregti dhe ngrohje

23/03/2015 00:00

Pas një dimri të gjatë, banorët e juglindjes i janë rikthyer prerjes masive të pyjeve, drurët e të cilët po i përdorin për ngrohje.

Të orientuar drejt sigurimit të druve të zjarrit, si masë paraprake për të kaluar dimrin, banorët janë rikthyer drejt prerjes së pyjeve. Pavarësisht se përballë tyre punojnë edhe firmat, që shfrytëzojnë pyjet, banorët rrafshojnë sipërfaqe të tëra me pyje, që më tej i tregtojnë duke siguruar edhe të ardhura.

Si të mos mjaftonte dëmi që shkaktojnë për të siguruar drutë, që u shërbejnë për përdorim vetjak, banorët sharrojnë e presin pa kriter, pasi te pyjet shohin edhe një mundësi përfitimi.

Sipas të dhënave, përgjatë ditëve të fundit, 16 persona janë kapur duke prerë pyjet në zonën e Dardhës, por edhe në disa fshatra të tjerë, ku pasi i ka kapur në flagrancë Inspektoriati i Mjedisit ka vendosur penalizimin e tyre me gjoba dhe u ka sekuestruar lëndën drusore.

Top Channel