Sulmi në Tunizi, shkarkohen 6 shefa policie

23/03/2015 00:00

Kryeministri i Tunizisë ka shkarkuar nga detyra 6 shefa policie, pas sulmit të javës së kaluar ndaj muzeut Bardo, në kryeqytet.

Habib Essid ka konstatuar mangësi serioze në aspektin e sigurisë gjatë një vizite të zhvilluar personalisht në muze, në ditët e fundit.

Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë e sulmit në Tuniz, ku humbën jetën 23 persona, shumica e të cilëve turistë europianë.

Sulmi ishte ndër më fatalët në Tunizi që nga kryengritja e vitit 2011, që çoi në rrëzimin e regjimit të Presidentit Ben Ali.

Shefat e policisë së Tunizit, por edhe drejtues të muzeut, janë mes personave të shkarkuar, tha më tej zëdhënësi i kryeministrit për agjencinë e lajmeve AFP.

“Policia dhe shërbimet sekrete nuk kishin bërë sa duhet për të ruajtur sigurinë. Megjithatë, përgjigjia ndaj sulmit shpëtoi dhjetëra jetë”, shtoi zëdhënësi i qeverisë.

Ndër të tjera, ai bëri të ditur se, një monument do të ngrihet në nder të viktimave.

Atentatorët thuhet se ishin stërvitur në Libi, në një zonë të kontrolluar nga Shteti Islamik. Dy prej tyre u vranë nga forcat speciale që ndërhynë për t’i dhënë fund pengmarrjes, ndërsa një i tretë është në arrati.

“Ata ishin tre vetë, njëri prej të cilëve është në arrati, por që nuk do të shkojë larg”, deklaroi të shtunën Presidenti Beji Caid Essebsi.

Top Channel