Bayern, në alarm për Robben. Do të mungojë disa javë. Mbetet jashtë Holandës

23/03/2015 00:00

Bayern Munchen është në gjendje “alarmi” sa i përket dëmtimit të Arjen Robben. Holandezi la fushën e lojës pas minutës së 24-t të ndeshjes me Borussia M’gladbach, të humbur 0-2 në “Allianz Arena”, për shkak të një tërheqjeje muskulare. Shqetësimi është i madh, sepse Arjenit mund t’i duhen disa javë ndalesë.

Drejtori sportiv i Bayernit, Matthias Sammer ka pranuar shqetësimin për lojtarin. “Jam i shqetësuar që do t’i duhet të pushojë për disa javë”. Karl-Heinz Rummenigge, administrator i deleguar i bavarezëve, është thuajse i shokuar. “Dëmtimi i tij është i rëndë dhe tepër shqetësues, po aq sa edhe humbja jonë”.

Ndërkohë, Pep Guardiola nuk bën lojëra fjalësh. Mungesa e holandezit është e rëndë, por tekniku spanjoll shprehet: “Robben na mungoi edhe dje, do të na mungojë edhe këto javë. Do të na mungojë më shumë ndaj kundërshtarëve që luajnë me 10 lojtarë të tërhequr në zonën e tyre të rreptësisë. Në këto raste, një lojtar i klasit të Robben që di të driblojë lojtarët është i vështirë të gjendet”.

Gjatë këtij sezoni, Robben ka qenë “arma shtesë” e bavarezëve me 17 gola të shënuar dhe 8 asiste të dhëna në Bundesliga. Shpresa mbetet që ai të jetë i gatshëm për gjysmëfinalet e Championsit, më 5 dhe 6 maj.

Holandezi është lënë gjithashtu edhe jashtë listës së kombëtares holandeze për sfidat kundër Turqisë dhe Spanjës. Lajmi njoftohet nga faqja zyrtare e Federatës Holandeze të Futbollit, ku shkruhej se “Arjen Robben ka informuar trajnerin e kombëtares Guus Hidding për pamundësinë e tij për të qenë i pranishëm për dy ndeshjet e radhës”.

Top Channel