Alonso gati për Sepangun. McLaren: Iu kujtua që timoni ishte i rëndë…

23/03/2015 00:00

Në një komunikatë për shtyp, ku njofton se “është kënaqësi të shohësh sërish Alonson në timonin e njëvendëshes së tij MP4/30 në Malajzi, pas përfundimit me sukses të vizitave mjekësore të FIA-s, duke nisur që nga e enjtja e 26 marsit”, McLaren jep edhe disa detaje të pazbuluara deri më tani mbi incidentin e spanjollit, në testimet e Montmelosë, që e detyroi atë të mungonte në Çmimin e Madh të Australisë.

“Fernando – lexohet në deklaratën e publikuar – ka ndjekur një program të rreptë stërvitjeje, është monitoruar nga specialistë për t’u siguruar mbi një rikthim të sigurt të tijin. Ai ka diskutuar edhe me inxhinierët e skuadrës, duke analizuar të dhënat e incidentit. E duke qenë se nuk kishte asgjë evidente nga telemetria, ashtu sikurse asgjë jonormale mbi rikonstruksionin e makinës, Fernando ka kujtuar se ndiente njëfarë peshe të rëndë në timon përpara incidentit. Menjëherë pas këtij zbulimi, skuadra vendosi të shtojë sensorë të tjerë në makinë për të rritur mbledhjen e të dhënave”.

“Pesha e rëndë” e timonit mund të jetë një e dhënë bazë për të hedhur dritë mbi incidentin e pësuar pak javë më parë, i cili edhe sot e kësaj dite mbetet i mbërthyer nga misteri.

Megjithatë, lajmi pozitiv është që Alonso do të garojë në Çmimin e Madh të Malajzisë, pasi ka kaluar me sukses testimet mjekësore në Kembrixh të Britanisë së Madhe, për të verifikuar nëse i ka kaluar traumat e incidentit të pësuar më 22 shkurt, apo jo.

Në atë garim për testimet e fundit dimërore, pasi u përplas në kthesën 3 të Montmelosë në rrethana ende misterioze, ai pësoi një tronditje cerebrale, madje edhe humbje të përkohshme të kujtesës. Mjekët anglezë e kanë testuar Alonson në lidhje me kujtesën dhe reflekset e tij. Por, pilotit spanjoll do t’i duhet të kalojë edhe një tjetër test me mjekët e FIA-s, takim që është lënë për të enjten në Sepang, përpara se të marrë konfirmimin zyrtar për garim.

Top Channel