Në ditët e fundit të Rajhut të Tretë, kur në Perëndim ndodheshin trupat anglo-amerikane dhe në Lindje Ushtria e Kuqe, një pjesë e mirë e bashkëpunëtorëve të Hitlerit kuptuan se arratisja ishte mënyra e vetme për të mos u fundosur së bashku me regjimin.

Në shërbim të këtij misioni ishte ndërtuar një plan i mirëmenduar ku dhjetra kriminelë lufte mundën të arratiseshin përmes Spanjës me anije drejt Amerikës Latine, kryesisht Brazilit dhe Argjentinës. Një pjesë e madhe rindërtuan jetën e tyre me identitete të tjera, ndërsa të tjerë u strehuan për vite me radhë në xhungël.

Ka disa histori që flasin për zbarkimin e anijeve të nazistëve, madje disa këmbënglin se mes tyre ka qenë edhe vetë Hitleri në momentin e zbritjes në Patagonia, në Jug të Argjentinës. Së bashku me nazistët në bord me këto anije besohet se ka zbarkuar në Amerikën Latine edhe një pjesë e madhe e arit dhe e sendeve të tjera me vlerë të grabitura përgjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.

Në disa raporte të shërbimeve të inteligjencës amerikane dhe britanike thuhet se nazistët e arratisur mund të kenë gjetur strehë në xhunglën argjentinase. Disa ekspedita kërkimore ranë në gjurmë të tyre, por asnjëherë nuk u gjetën të dhëna të mjaftueshme për ta provuar këtë.

Aq shumë është folur e përfolur për zbarkimin e nazistëve në Argjentinë sa një pjesë e tyre janë shndërruar në gojëdhëna. Por ku ka zë s’është pa gjë. Një grup studiuesish publikuan fundjavën që kaloi një raport nga një ekspeditë e tyre në “Parque Teyu Cuare”. Ata ranë në gjurmët e një shtegu që i udhëhoqi drejt një vendbanimi të ndërtuar mes pyllit të dendur.

Nuk bëhej fjalë për një ndërtim të lashtë, por as të ditëve tona pasi aty u pa që prej kohësh nuk ishte vënë dorë njeriu. Pyetjet që munduan studiuesit ishin se kujt i shërbenin këto ndërtesa në mes të xhunglës? Kush dhe për çfarë i ndërtoi ato?

Daniel Schavelzon nga Universiteti i Buenos Aires, që udhëhoqi studimin thotë se kudo gjen shenja që në ndërtimin e të paktën tre objekteve të zbuluara kanë dorë nazistët.

Mes këtyre shenjave është gjetja e një sasie të madhe monedhash gjermane të emëtuara që nga viti 1938 deri në vitin 1944. U gjetën gjithashtu disa punime porcelani me mbishkrimin “Made in Germany” (Prodhuar në Gjermani), por më domethënësja është gjetja e simbolit nazist; kryqi i thyer (swastika).

“Ne nuk mund të shpjegojmë ndryshe se përse dikush do të ndërtonte një strukturë të tillë, me kaq mund në një zonë që në ato vite ka qenë plotësisht e izoluar, larg komunitetit vendor dhe për më tepër me materiale që nuk janë karakteristikë e zonës”, deklaroi Schavelzon për gazetën argjentinase Clarin.

Zbulimi është me një rëndësi të veçantë pasi përforcon teoritë që deri më tani pohonin se nazistët janë strehuar për vite me radhë në xhunglën e Argjentinës. Por edhe pse ishin teori, thellësia e xhunglës në të cilën janë gjetur këto gjurmë, tejkalon edhe imagjinatën më të shfrenuar.

Argjentina në ato vite drejtohej nga Juan Domingo Peron dhe ishte një parajsë për nazistët. Ky i fundit ishte simpatizant i ideologjisë së Hitlerit dhe ofroi për disa vite strehë për oficerët nazistë, përfshirë këtu edhe Adolf Eichmann, i njohur si ‘ideatori i Holokaustit’. Eichmann u arrestua në vitin 1960 në Buenos Aires dhe u ekstradua në Izrael ku u ekzekutua.

FOTO GALERI
1/3
Pjese nga strukturat e zbuluara ne xhunglen argjentinase

Top Channel