Assange: Nemtsov u vra nga shërbimet sekrete çeçene

23/03/2015 00:00

Lideri i opozitës ruse, Boris Nemtsov është vrarë nga shërbimet sekrete çeçene për t’u treguar kolegëve rusë të FSB-së se nuk e kontrollojnë tërësisht Moskën dhe se ata mund të vrasin dikë edhe në dyert e Kremlinit.

Është kjo hipoteza e hedhur nga themeluesi i Wikileaks, Julian Assange, në një intervistë për një të përditshme argjentinase.

Sipas Assange, Moska po stërvit ushtarë çeçenë për të mbështetur forcat separatiste në lindje të Ukrainës, pasi ata kanë më shumë eksperiencë në luftërat civile.

Këto forca, shton Assange, kontrollohen nga presidenti çeçen Razman Kadyrov, që ka ngritur një shërbim sekret mjaft të fuqishëm, që është akuzuar për një seri vrasjesh, madje edhe në Vjenë, të kundërshtarëve të Kadyrov e që tashmë rivalizon FSB-në.

“Fajtorët materialë të vrasjes së Nemtsov, i ekzekutuar pranë selisë së Kremlinit, ishin çeçenë të afërt me shërbimet sekrete të atij vendi. Por kjo nuk do të thotë se ka qenë Kadyrov që ka urdhëruar vrasjen. Mund të ketë qenë një fraksion i ndërmjetëm që ka dashur t’i tregojë dobishmërinë e tij Kadyrov ose së djathtës ekstreme ruse”, ka deklaruar Assange.

Sa për përfshirjen e mundshme të presidentit Vladimir Putin në këtë vrasje, themeluesi i Wikileaks ka thënë se, shefi i Kremlinit ka shkaktuar shumë konfuzion në opinionin publik rus dhe atë Perëndimor, kur pak kohë nga vrasja e Nemtsov dekoroi në të njëjtën ceremoni Kadyrov dhe ish-agjentin e FSB-së që helmoi me polonium Alexander Litvinenko në një restorant të Londrës në 2006.

“Një veprim që është interpretuar sikur shefi i Kremlinit ka thënë: kam mbështetur fuqishëm të dyja vrasjet”, ka shtuar Assange.

Top Channel