Kosovë, biznesi prezanton vërejtjet në Komisionin për Zhvillim Ekonomik

23/03/2015 00:00

Korrupsioni, sundimi i ligjit, tarifat e larta të energjisë elektrike, normat e larta të interesit bankar si më të shtrenjtat në rajon, ishin disa vërejtje të prezantuara nga përfaqësues të bizneseve në Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, gjatë debatit për mbikëqyrjen e ligjit për investimet e huaja.

Anëtarët e komisionit premtuan se, këto vërejtje do të përfshihen në ligjin për investime të huaja me rekomandime të posaçme.

“Si kërkesa të tjera të bizneseve, të cilat janë paraqitur por që nuk ndikojnë në ligjin mbi investimet e huaja, janë: politikat e këqija fiskale, mungesa e subvencioneve, normat e larta të interesit bankar që janë më të shtrenjtat në rajon, konkurrenca jo e drejtë, energjia e shtrenjtë, humbja e fuqisë në treg, monopolet, licencat, lejet e punës, mos efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe mos zbatimi i kontratave nga organet gjyqësore, të cilat bizneset kanë kërkuar që të ndryshohen”, tha Lumnije Hashani, përfaqësuese e Odës Ekonomike të Kosovës.

Nënkryetari i Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë se të gjitha shqetësimet do të trajtohen në mënyrën e duhur.

“Shqetësimet tuaja për procedurën dhe njëkohësisht për ato që u ngritën si nga Oda Ekonomike, edhe nga Pacolli, ne sot jemi këtu për të bërë debat lidhur me funksionimin dhe mundësinë e ndërhyrjes shtetërore, që investitorët vendas apo edhe të huaj qofshin të trajtohen sa më mirë të jetë e mundur. Pra, kjo është logjika për të cilën jemi duke punuar. Besoj se, nëse flasim hapur dhe pa hezitim lidhur me problemet, sigurisht që ato do të mund të trajtohen”, tha Besim Beqaj, nënkryetar i komisionit.

Ndërsa përfaqësuesit e disa bizneseve kanë kërkuar më shumë lehtësime nga ana e qeverisë, zëvendësministri i Tregtisë, Avni Kastrati ka hedhur poshtë raportimet në media për largim investitorësh nga Kosova drejt Maqedonisë. Pas këtij debati për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për investimet e huaja, komisioni do të nxjerrë rekomandimet për të cilat do të njoftohet edhe Kuvendi.

Top Channel