Si të hash në një restorant pa e nxjerrë fare kuletën? Një 28-vjeçar britanik ka për këtë pyetje një përgjigje gjeniale, që për fat të keq u zbulua.

Christopher Baker vendosi të ulej i vetëm në një restorant në Sanderlend në Britaninë e Madhe në ditën e Shën Valentinit. Pasi porosit dhe shijon atë që kish porositur, 28-vjeçari nxjerr nga xhepi i xhaketës një mi dhe e lëshon në tokë.

Menjëherë ai dhe persona të tjerë që ndodheshin në restorant në atë moment ‘iu neverit’ ushqimi. Të vënë në siklet përballë klientëve, stafi dhe pronari i restorantit urdhëroi rikthimin e parave për të gjithë të pranishmit.

Më pas në restorant mësyjnë inspektorët sanitarë. Ata kapin miun dhe vënë re që nuk bëhej fjalë për një mi të egër, por për një mi të rritur në shtëpi, i pastër e madje edhe i qethur.

Megjithatë askujt nuk i shkoi mendja se kafsha mund të ishte lëshuar në ambientet e restorantit nga njëri prej klientëve. Gjithçka është zbuluar disa ditë më vonë kur pronari i lokalit vendos të rishikojë kamerat e sigurisë. Pikërisht këtu ai kap momentin kur Christopher Baker, pasi ka ngrenë, fut dorën në xhepin e xhaketës dhe nxjerr me kujdes miun duke e lënë atë në shesh.

I vendosur përballë kësaj prove, Baker pranoi mashtrimin. Ai pagoi faturën plus 60 paund ekstra dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar.

Top Channel