Maqedoni, Zaev: Gruevski, përpjekje për të destabilizuar vendin

23/03/2015 00:00

Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi të hënën se kryeministri Nikolla Gruevski, nga mbledhjet e fundit partiake ka dërguar porosi për destabilizimin e vendit.

Megjithatë, Zaev tha se qytetarët dhe opozita nuk do të lejojnë që në Maqedoni të ndodhë një gjë e tillë.

“Gruevski, në përpjekje për të shpëtuar veten, po dërgon edhe porosi për destabilizim. Ne luftojmë me argumente, kurse ai me të gjitha institucionet dhe instrumentet që ka në dispozicion dhe dërgon kërcënime direkte. Por, edhe nëse Gruevski dëshiron destabilizim, kjo nuk do të ndodhë”, deklaroi Zaev.

Kreu social-demokrat ka ftuar të gjithë faktorët në vend që t’i bashkohen atij në betejën që ka nisur, për atë që e ka quajtur “kthimin e lirisë dhe demokracisë në Maqedoni”.

Nga ana tjetër, partia shqiptare në pushtet, BDI pret përfshirjen e përfaqësuesve të BE-së në zgjidhjen e krizës politike dhe bën thirrje që kjo situatë të tejkalohet përmes një procesi të pavarur dhe transparent.

“Kërkesa nga BE-ja është që dialogu politik të rifillojë sa më parë dhe që procesi gjyqësor të zhvillohet sipas parimeve të sundimit të së drejtës, apo funksionimit të ligjit. Procesi duhet të zhvillohet nga institucione të pavarura dhe të jetë transparent me qëllim që jetë i drejtë”, deklaroi Fatmir Besimi, zv.kryeministër i Maqedonisë.

Ndërkohë, Zaev vazhdoi edhe këtë të hënë me publikimin e bisedave të përgjuara të kryeministrit Nikolla Gruevski. Lideri opozitar tha se materialet e reja dëshmojnë për “uzurpimin kriminal” të sipërfaqeve të ndërtimit në lagjen Vodno të Shkupit nga ana e kryeministrit.

Top Channel