Profili i paautorizuar i Mira Kazhanit

23/03/2015 00:00

Më 21 prill të një viti të panjohur u lind Mira Kazhani. Që në ditët e para të jetës, të gjithë i thonin se një e ardhme në media ishte e garantuar, ndoshta për shkak të njohjeve që kishte siguruar ato kohë. Duket se profecia filloi të realizohej shumë shpejt.

Prej gati 15 vitesh, Mira është pjesë e medias. Televizioni është dashuria e saj, por edhe gazeta nuk mbetet pas. Intervistat e para të saj ishin me Fatos Nanon, për të cilat burimet thonë se Mira e kishte shumë të vështirë për t’i kuptuar, ndoshta sepse ish-kryeministri fliste shumë qartë.

Mira studioi në një degë, që shqiptarët nuk e duan shumë: për psikologji. Çuditërisht, ajo është një tip shumë i ndjeshëm, por këtë cilësi nuk e ka për kafshët shtëpiake, ndoshta se qentë i ka shumë frikë.

Në një mënyrë të pashpjegueshme, ajo është shumë e lidhur me mbesën e saj bukuroshe, Rebekën, dhe nipin 10-muajsh, Drinin. Burime të besueshmë pranë Mirës tregojnë se jeta e natës është një fiksim i saj, ndaj dhe ajo kujdeset shumë për përzgjedhjen e këpucëve të sheshta, kur shkon në pub-e.

Ajo preferon të dëgjojë muzikë tradicionale, folklorike, ndërsa kënga e saj e preferuar është “Un’emozione per sempre” e Eros Ramazzottit. Nuk i pëlqejnë këngëtaret që zhvishen shumë, por për Rihhanan bën një përjashtim.

Linjat janë shumë të rëndësishme për të dhe ushqimin e zgjedh me delikatesë. Byreku, sushi apo karkalecat nuk janë asgjë përpara një “pancake” apo petullave amerikane. Gjatë verës preferon të pushojë në plazhet e jugut të Shqipërisë.

Burimet tregojnë se ajo nuk e pëlqen aspak Greqinë dhe se grekët kanë lobuar fort, që ajo të mos jetë në “Big Brother”, por mbështetja e Gjermanisë ishte vendimtare për të. Mira punon shumë, por ka edhe kohë të lirë, në të cilën bën palestër dhe shkruan poezi.

Top Channel