Në pamundësi për të lëvizur prej genetikës

23/03/2015 00:00

Ilir dhe Flamur Bala janë dy vëllezër, të cilëve trashëgimia genetike ua ka penguar lëvizjen, por që mund të bëjnë shumë gjëra, që njerëzit normalë nuk munden.

Që në moshë të vogël, djemtë nga Hasi, të cilët jetojnë në Durrës, u
diagnostikuan me “distrofi muskulare”, gen i bartur nga e ëma Fatimja.

“Si nënë kam hequr shumë vështirësi për t’i rritur. Kam qenë e vetme, në punë shteti, e gjithsesi u rritën deri në njëfarë moshe. Më pas nisi kjo sëmundja”, shprehet Fatime Bala.

Deri sa mbushën 13 dhe 15 vjeç, ata ecnin normalisht. Më pas muskujt filluan të krijonin probleme, duke bërë që një ditë të ishte e pashmangshme përdorimi i karrocës me rrota.

“Kjo është një sëmundje që të lodh shumë muskujt. Gjithnjë jam munduar t’ua vë në lëvizje muskujt duke u bërë ushtrime fizike, nuk i kam lënë të rrinë kot. Kam pasur shumë shpresë te Zoti dhe lutemi që një ditë të nxirret një ilaç për ta. Jam lutur natë e ditë për këtë gjë”, thotë më tej Fatime Bala.

Forca e vërtetë e tyre, padyshim që është e ëma; një grua e fortë, me zemër të madhe. Të dy djemtë kanë dhunti të veçanta. Iliri ka pasion poezitë, thëniet filozofike dhe nëpërmjet gërmave arrin të shprehë gjendjen shpirtërore të momentit.

“Iliri, djali im i madh ka talent për të shkruar poezi. Kalon shumë kohë duke lexuar e shkruar, aq sa shpesh i them të pushojë sepse lodhet. Por refuzon të ndalet, duke thënë se asgjë të keqe nuk e gjen, veçse argëtohet”, tha më tej Fatime Bala.

Nga ana tjetër, Flamuri i ka duart e arta. Ai  mund të riparojë çdo pjesë mekanike, apo të krijojë mjete ndihmëse për personat me aftësi të kufizuar. Kur karroca e Ilirit ka probleme teknike, duart e Flamurit hyjnë në aksion.

“Flamuri ka aftësi për mekanik. E ka çuar makinën qysh në moshën 15-vjeçare. E ka kufizuar aftësia fizike, sepse po ta kishte mundësinë për të lëvizur, ku i dihet se ku do të shkonte. Edhe bashkëshorti e ka përjetuar keq, ka qenë shumë i mërzitur, por burrat kanë më shumë forcë për të përballuar të tilla ngjarje, nënës i bie barra”, tregon Fatime Bala.

Pamundësia fizike nuk i ka penguar djemtë të bëjnë një jetë normale. Ata janë tifozë të Barcelonës, dalin shpesh me shoqërinë dhe kur u krijohet mundësia frekuentojnë edhe lokalet me muzikë. Duan t’i tregojnë shoqërisë se gjëra të bukura bëhen edhe në mungesë të këmbëve, ata e kanë gjetur forcën…

Top Channel