Banorët e pallatit “të lënë peng”

23/03/2015 00:00

Familja Capa prej afro 3 vitesh e ka rregulluar jetën e saj në një apartament, që është blerë me kursime të familjes ndër breza.

Por, pavarësisht sakrificave, pjesëtarët e saj rrezikojnë të përfundojnë
në rrugë e ta humbasin banesën e tyre përgjithmonë, sepse prej 5 ditësh
u ka mbërritur në derë një dokument ekzekutimi nga Përmbarimi, ku u
thuhet se ata duhet të lënë shtëpitë, pasi pallati – ku ndodhet banesa e
tyre – më 31 mars do të dalë në ankand.

“Gjithë natën kam qenë me tension. Të punojë djali, unë vetë dhe burri, e të mbërrish këtu. Jemi shumë të shqetësuar”, thotë Liria.

Shaqiri, kryetari i kësaj familjeje 7-anëtarëshe, thotë se lajmi u ka rënë si gjëmë mbi krye.

“Unë prisja që të më dilte hipoteka, ndërsa këta thonë tani që paska ikur pronari”, tha Shaqiri.

Në muret e shtëpisë së tyre, kryefamiljari tregon se është investuar gjaku i shumë brezave.

“Këtu është djersa e gjyshit tim, babës tim, imja dhe e djalit tim. Këtu është kursimi i katër brezave, apo gjithë pasuria ime”, thotë më tej Shaqiri.

Me këtë situatë dramatike të familjes Capa po përballen edhe 218 familje të tjera dhe 40 njësi banimi, të cilat janë pronë në këtë ndërtim. E gjithë godina rezulton të jetë sekuestruar nga banka, pasi ndërtuesi, në kredinë e marrë dhe të papaguar, ka vënë si garanci pallatin.

“Motra ka 20 vjet që është në Itali, bashkë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre. Ka 20 vjet që ka punuar dhe është copëtuar për këtë shtëpi dhe kur vjen puna nuk ka asgjë të sigurt. Gjithçka kishte mbledhur këto 20 vjet ajo i hodhi këtu, e mori të pasuvatuar, pa dyer dhe pa asgjë”, thotë një tjetër banore.

Ndërsa Lefter Shënbitraku ka investuar kursimet e jetës në një prej dyqaneve të kësaj ndërtese.

“Kam qenë në emigracion, në Greqi prej vitit 1992, dhe gjithë sakrifica e bërë andej, përfshi edhe atë çfarë kam punuar këtu në Shqipëri deri në vitin 2012, kur prenotova këtë dyqan, janë hedhur në këtë pronë. Pak a shumë 25 vite punë të hedhura këtu”, thotë Lefteri.

Banorët thonë se të gjithë kanë kontrata të rregullta shit-blerjeje. Sipas tyre, paratë janë paguar përmes bankave dhe pretendojnë se i kanë kryer detyrimet me ndërtuesin. E për aq kohë sa Përmbarimi u kërkon të lënë banesat, i kujt është pallati mes tre palëve?

Top Channel