Kosova, rekord azilkërkuesish në dhjetor. Eurostat: Me tepër edhe se Siria e Afganistani

23/03/2015 00:00

Kosova ka kapërcyer edhe Sirinë, sa i përket numrit të azilkërkuesve në Bashkimin Europian, në dhjetor të vitit 2014. Dyshimet e fundit rreth këtyre shifrave i heq Agjencia Europiane e Statistikave, në një raport të publikuar së fundi.

Sipas Eurostatit, numri i kosovarëve që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, në fund të vitit 2014 është 13 mijë e 905, duke lënë pas Sirinë e përfshirë në një luftë civile me rreth 12 mijë, si dhe Afganistanin me afro 6 mijë.

Numri i përgjithshëm i azilkërkuesve nga Kosova, për vitin 2014 është 37.875, duke u renditur kështu e treta pas Sirisë dhe Afganistanit. Në mesin e 6 vendeve me më shumë azilkërkues janë edhe Eritrea, shtet afrikan, Serbia dhe Pakistani.

Ndërkohë, Shqipëria është e 11-ta në listë, me afro 17 mijë azilkërkues (16 mijë e 805 azilkërkues) për vitin 2014. Sa i përket Kosovës, vetëm 7 për qind e aplikantëve, ose 905 vetë gjithsej kanë marrë përgjigje pozitive.

Nga të dhënat e Eurostatit kuptohet se, numri më i madh i emigrantëve nga Kosova janë të grupmoshës 18-34 vjeç, me rreth 44.5 për qind gjithsej, më pas në një përqindje më të ulët hyjnë fëmijët deri në moshën 13 vjeç. Numri i të ikurve familjarisht, me fëmijë të vegjël, vjen duke u rritur në tremujorin e fundit të 2014-s, siç edhe kanë treguar pamjet e përditshme në stacionet e autobusëve.

191 mijë njerëz më shumë kërkuan azil në vendet e BE-së gjatë vitit 2014, krahasuar me vitin 2013. Sipas Eurostatit, rritja më e madhe është regjistruar në Gjermani, e pasuar nga Italia, Suedia dhe Hungaria.

Top Channel