Dialogu Kosovë-Serbi, raporti i qeverisë kosovare i dorëzohet BE-së

23/03/2015 00:00

Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraqitur pranë Bashkimit Evropian “Raportin mbi rrjedhat e dialogut të Brukselit” dhe procesin e zbatimit të marrëveshjeve për periudhën 1 Tetor 2014-20 Mars 2015.

Në këtë raport, të nënshkruar nga ministrja Edita Tahiri, njëherësh udhëheqëse e dialogut të Brukselit për procesin e zbatimit, paraqitet vlerësimi i qeverisë së Kosovës për progresin dhe sfidat e procesit të zbatimit të marrëveshjeve të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe dialogut teknik të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Raporti vë theksin te çështje të mbetura pezull, të tilla si “mbrojtja civile”, që ende nuk po i lejon anëtarët e saj të integrohen në institucionet civile të Kosovës; mungesa e kodit telefonik ndërkombëtar për Kosovën, pas marrëveshjes së shtatorit 2013; heqja e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes”; mbetja pezull e marrëveshjes për sigurimin e makinave, edhe pse negociohet prej pothuaj 2 vitesh.

Çështja e Asosacionit mbetet të adresohet vetëm pas shpërbërjes së të gjitha strukturave paralele serbe në Kosovë dhe heqjes së barrikadave.

Raporti, po ashtu vë theksin te ndërhyrjet ilegale të Serbisë në Kosovë duke mbajtur këto struktura paralele, të cilat sipas këtij raporti janë forcuar dhe zgjeruar që nga tetori i vitit të kaluar, çka ka minuar punën e kryetarëve të ligjshëm të komunave veriore.

Serbia ka ndërhyrë duke parandaluar miratimin e buxhetit në ato komuna, duke penguar integrimin e sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin kosovar. Ndaj, qeveria e Kosovës beson se procesi i zbatimit të marrëveshjeve do të kishte përparuar më shumë, nëse Serbia do të shfaqte më shumë vullnet politik dhe do të përmbahej në shkeljen e detyrimeve të dialogut, thuhet në raportin e qeverisë së Kosovës, që mban firmën e ministres për Dialog, Edita Tahiri.

Qeveria e Kosovës deklaron në raport se pret më shumë mbështetje nga BE, duke nënshkruar marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit gjatë gjysmës së parë të vitit, ratifikimin e saj gjatë vitit dhe dhënien e statusit kandidat në një të ardhme të afërt.

Top Channel