Rusia kërcënon hapur Danimarkën: Refuzoni planin e NATO-s, ndryshe do t’ju sulmojmë

23/03/2015 00:00

Rusia vazhdon të ngrejë shqetësime tek Perëndimi. Këtë herë Moska ka kërcënuar Danimarkën se do ta sulmojë me armë bërthamore nëse vendi skandinav do të pranojë të bëhet anëtar i sistemit të mbrojtjes raketore të NATO-s.

Gjatë një takimi në Kopenhagen, ambasadori rus në Danimarkë deklaroi se një lëvizje e tillë, e cila do të shihej si diçka me prosperitet për aleancën perendimore, do të përbënte një kërcënim për Rusinë, ndaj vendi duhet të marrë masa paraprake.

“Nëse kjo ndodh, luftanijet daneze do të kthehen në shënjestër për raketat bërthamore ruse“, e mbylli Mikail Vanin fjalën e tij.

Menjëherë pas Vanin erdhi edhe reagimi i ministrit të Jashtëm danez, Martin Lidegaard, i cili dënoi deklaratën e hapur të diplomatit rus.

Kërcënimi vjen në sfondin e një situate të tensionuar jo vetëm në Europën lindore, për shkak të konfliktit të Ukrainës, por në një klimë të rënduar në gjithë kontinentin e vjetër.

Kjo, pasi Rusia i ka zgjeruar ambiciet e saj ushtarake, duke bërë herë pas here edhe parada ajrore me avionë ushtarakë, të cilët jo pak herë kanë hyrë në hapësirën ajrore britanike, franceze, si edhe në disa vende të tjera të Europës lindore.

Më herët kryeministri britanik David Cameron dhe udhëheqës të tjerë të lartë të BE ranë dakord të zgjerojnë sanksionet kundër Moskës, për shkak të veprimtarisë së saj ushtarake.

Britania e Madhe është ndër të parat vende që ka hartuar një plan mbrojtjeje, me kryeministrin Cameron që miratoi një fond prej 20 milionë paund për t’i ardhur në ndihmë forcimit të institucioneve demokratike në të gjitha shtetet që janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të Kremlinit.

Sipas britanikëve, ky fond është një investim afatgjatë që me shumë gjasa do të parandalojë skenarin e një Ukraine të ardhshme.

Top Channel