Kosovë, debati mbi mbështetjen financiare të festivaleve

23/03/2015 00:00

Projektet, të cilat përkrahen financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë ato, që vijnë kryesisht nga institucionet në varësi të kësaj ministrie, siç janë teatrot e bibliotekat.

Ky është sqarimi i Ministrisë së Kulturës në Kosovë, lidhur me reagimet e drejtuesve të disa prej festivaleve dhe ngjarjeve kulturore në Kosovë, të cilat Ministria ka marrë vendim t’i mbështesë më pak se vitet e kaluara.

Këshilltari i ministrit të kulturës, Vehbi Miftari sqaron se buxheti nuk është zvogëluar.

“Projektet janë orientuar kryesisht nga institucionet, sepse ne udhëhiqemi nga një vetëdije institucionaliste. Duam që institucioneve t’u garantojmë aktivitet profesional, të ushtrojnë e të luajnë rolin të cilin ia garanton ligji dhe të cilin e kanë si detyrim. Po sigurohemi tani që të gjitha hapat e ndërmarra, pra të gjitha projektet që i mbështesim, të kenë atë që e quajmë impakt kulturor”, tha Vehbi Miftari, kështilltar i ministrit të Kulturës, Risinë dhe Sportit.

Në këtë kuptim, Miftari tha se janë përkrahur më shumë projekte si “DokuFest”, i cili sipas tij jo vetëm që krijon vlera artistike, por në të njëjtën kohë ndërton raporte të fuqishme ndërkulturore dhe ka një ndikim në vetë ekonominë e vendit.

Pas reagimit një ditë më parë të drejtoreshës së Festivalit të Filmit “PriFest”, Vjosa Berisha, e cila tha se në shenjë revolte festivali do të zhvillojë edicionin e ardhshëm në Tiranë me zero buxhet, për shkak të zvogëlimit të buxhetit nga ana e MKRS-së nga 22 mijë euro në 5 mijë euro, Miftari tha se projektet janë vlerësuar në bazë të impaktit kulturor që sjellin.

“Ministria përpiqet që t’u dalë në ndihmë e të vlerësojë secilin projekt, duke pasur për bazë impaktin ose produktin kulturor që sjell. Mesa di unë, edhe ky projekt, edhe projekte të tjera janë përkrahur këtë vit, ndoshta jo në shumën që mund të kenë pritur organizatorët. Por lutem, që ata të mos kenë pritur që i gjithë buxheti i festivalit të derdhet nga Ministria, sepse ne duhet të kemi parasysh edhe një çështje: paratë që ndajmë ne për projekte të ndryshme, janë parà të taksapaguesve të Kosovës, ndaj duhet doemos të kemi parasysh edhe peshën e vendimeve tona”, tha Vehbi Miftari, kështilltar i ministrit.

Vehbi Miftari shtoi se mbështetja e festivaleve nuk është bazuar në faktin sa janë vlerësuar vitet e kaluara, pasi sipas tij kjo do të nënkuptonte vetëm listim të projekteve. Ndërsa, referuar të gjitha festivaleve ose projekteve, Miftari bëri të ditur që mund të ketë edhe thirrje të dytë publike për subvencionim, duke shtuar se deri më tani janë përkrahur 212 projekte, me mbi 521 mijë euro.

Top Channel