Netanyahu u kërkon ndjesë arabëve

23/03/2015 00:00

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i kërkoi ndjesë minoritetit arab në Izrael në lidhje me disa komente të lëshuara prej tij në ditën e zgjedhjeve.

Përmes një video-mesazhi të shpërndarë në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, Netanyahu thotë se mesazhi i tij ditën e zgjedhjeve nuk kishte për qëllim të ofendonte arabët e Izraelit.

Ditën e zgjedhjeve, Netanyahu kërkoi pjesëmarrjen masive në zgjedhje të elektoratit pasiv përmes një mesazhi të shpërndarë po në rrjetet sociale.

“Qeverisja e së djathtës është në rrezik. Votuesit arabë po shkojnë nëpër qendrat e votimit tufa-tufa. Organizatat e majta po i çojnë ata me autobusë”, thuhej në mesazh.

Ndoshta ky mesazh ka luajtur rolin e tij në fitoren surprizë që kryeministri izraelit siguroi në zgjedhjet e fundit dhe tashmë ai thotë se shpreson që brenda 2-3 javëve të ardhshme të formojë qeverinë e re.

20.7 përqind e popullsisë prej 8.2 milion banorësh të Izraelit përbëhet nga minoriteti arab dhe gjuha arabe është gjuhë zyrtare së bashku me hebraishten.

Top Channel