Komisioneri Hahn në Tiranë: Shpresojmë të ulim tensionin politik

23/03/2015 00:00

Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Antarësim, ndryshe nga parardhësit e tij, të cilët zhvillonin takime politike, vizitën dyditore në Tiranë e ka nisur duke ngjitur shkallët e Muzeut Kombëtar për të mësuar më shumë rreth historisë tonë.

Më pas ai ka ecur në këmbë për të shkuar në xhaminë e Et’hem Beut. Johannes Hahn, duke zbatuar ritet myslimane, hoqi këpucët dhe iu drejtua ambienteve të brendshme të xhamisë, ku bisedoi me myftiun Ylli Guri.

Komisioneri dha këtë përshtypje të parë për Tiranën: “Duket e mrekullueshme. Kam qënë këtu dy vjet më parë dhe mund ta shikoj ndryshimin nga çfarë ishte 6 apo 7 vite më parë. Qyteti është zhvilluar dhe është tashmë një qytet europian i rëndësishëm”, u shpreh Hahn.

Top-Channel e pyeti komisionerin nëse ai ishte i shqetësuar nga klima politike që gjente në Tiranë.

“Unë do të kem shumë mundësi për të biseduar. Natyrish ka tensione, por shpreshojmë që të gjithë të jenë të vendosur, pasi një klimë konstruktive është një prej parakushteve të rrugës europiane të Shqipërisë”, deklaroi Hahn.

Mesditën e së martës, për të katërtën herë BE-ja do të kalojë në skaner progresin e Shqipërisë në përmbushjen e pesë prioriteteve. Top-Channel ka mësuar se në këtë dialog të nivelit të lartë Shqipëri-BE formati ka pësuar ndryshime.

Në mënyrë që koha të përdoret me efikasitet, nuk do të ketë replika nga përfaqësuesit e opozitës, pas fjalës së kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Integrimit Europian, Klajda Gjosha.

Duke parë edhe eksperiencën e tre tryezave të shkuara, ku debatet ishin të pafundme, Tirana dhe Brukseli mesa duket kanë rënë dakord që nga opozita të flasë vetëm kryetarja e komisionit parlamentar të integrimit, Majlinda Bregu.

Top Channel