Të vërtetat e përmbytjeve në Shqipëri

23/03/2015 00:00

Sa herë që ndodhin përmbytje në Shqipëri flitet për emergjenca, për reagim apo mosreagim, për marrjen e masave të momentit, për mënyrën sesi është sjellë njëra apo tjetra qeveri. Ndërkohë që, problemet që lidhen me përmbytjet, veprat e kullimit e gjithçka tjetër janë shumë herë më të mëdha, e nëse nuk do të zgjidhen apo trajtohen në mënyrën e duhur, ajo që kemi parë deri më sot do të jetë vetëm fillimi.

Gjithçka filloi, ose më mirë përfundoi, te mbyllja e institucioneve kërkimore, mes të cilëve edhe Institutit të Studimit dhe Projektimit të Veprave të Kullimit dhe Ujitjes, që i hapi rrugën kaosit dhe zgjidhjeve të momentit, të cilat në fakt nuk janë kurrë të tilla.

Përmbytjet janë bërë thuajse normale në jug apo në veri të vendit. Por, a është kjo thjesht çështje e natyrës? A ka mundësi të parandalohet sa mundet? A merren masa sa duhet? Çdo të ndodhë në të ardhmen? Sigurisht, nëse institutet do të ishin ende në këmbë përgjigjet do të ishin më të thjeshta, ndryshe nga sot kur duhen gërrmuar për t’i gjetur.

Dhimitër Vogli është një ndër inxhinierët më të mirë në këtë fushë. Për mëse 12 vjet, nga viti 1978 deri në 1990-n, ai ka drejtuar Institutin e Studimit e Projektimit të Veprave të Kullimit dhe Ujitjes. Përmes analizave të tij të detajuara mund të kuptosh lehtësisht, atë që ka ndodhur dhe po ndodh sot në Shqipëri me përmbytjet, ashtu siç në rastin e Novoselës, një ndër zonat më të përmbytura pak javë më parë.

“Argjinatura që e mbron Novoselën nga ujërat e Vjosës nuk ishte në gjendjen që duhej të ishte. Praktikisht, në shumë zona ajo kishte vende të ulëta, të cilat janë ulur për shkak se popullsia shfrytëzon tokat brenda argjinaturës, duke u bërë kështu rrugë kalimi për të marrë inertet, apo zhavorret nga shtrati i Vjosës. Por, njëkohësisht edhe nuk është mirëmbajtur, që të jetë në kuadër të projektit, siç ka qenë në të gjithë gjatësinë e saj argjinatura”, thotë Dhimitër Vogli.

Nëse në njërin krah argjinatura nuk ka mbajtur, në krahun tjetër – atë të djathtë, referuar rrjedhës së lumit, – siç thekson inxhinier Vogli nuk ka pasur të tillë. Kjo, për arsye që uji të kalonte në atë pjesë, pra në të kundërt të Novoselës, duke shkuar drejt asaj që specialistët e quajnë zonë ekspansioni. E megjithatë, edhe në këtë anë problemet janë të shumta.

“Deri në vitin 1990, në zonën e këtij ‘shtrati të dytë’ të Vjosës për raste përmbytjesh nuk janë kryer ndërtime, por pas vitit ’90 u kryen shumë të tilla pa kriter. Natyrisht, ata që banojnë në këto zona janë të parët, që e pësojnë nga përmbytjet dhe që e pësojnë më tepër se gjithë të tjerët”, tha inxhinier Vogli.

Pra, në rastin e Novoselës asgjë nuk ka funksionuar. Në të gjitha pjesët e saj, uji është derdhur lirshëm, si pasojë e problemeve të argjinaturës. Ndërsa në krahun tjetër, ku nuk duhet të kishte ndërtime, sot ato kanë ngritur krye kudo. Uji i Vjosës është ai, që u derdh më pas edhe në Hoxharë e Darzezë. Problemet janë të njëjta, mjafton të kujtosh se investimet e fundit janë bërë mëse 30 vjet më parë, kur u shtua një hidrovor i ri. E megjithatë, për dy hidrovoret e Darzezës është e pamundur të shkarkojnë një sasi aq të madhe uji, sa ajo që erdhi këtë dimër.

“E para që duhet bërë tani pas përmbytjeve, është të studiohet mirë fenomeni që ndodhi, në të gjitha drejtimet, dhe në varësi të kësaj të përcaktohen edhe masat që duhet të merren”, vijoi më tej inxhinier Vogli.

Mungesa e ekspertizës, siç thotë Dhimitër Vogli, ka sjellë shumë realitete të tilla në Shqipëri, e cila duket se nuk sheh mjaftueshëm nga e ardhmja. Në përmbytjet e Shkodrës, për shembull, ekspertët u thirrën, por përveç masave emergjente, ato afatmesme nuk u zbatuan kurrë, edhe pse studimet u kryen.

Një nga përmbytjet më të mëdha në vend llogaritet ajo e viteve 1962-’63, kohë kur mbi 70 mijë hektarë tokë përfunduan nën ujë. Ujërat e Vjosës u bashkuan me Semanin e Shkumbinin, ndërsa në krahun tjetër, Drini me Matin e Ishmin. Pikërisht për këtë arsye u morën masa të forta për kohën, edhe pse ato kishin nisur që më parë. U kryen punime në argjinatura e u bonifikuan shumë toka kënetore, nga Velipoja e deri në zonën e Vurgut e Mursisë, në rrethin e Sarandës.

Pra përtej investimeve në shtretërit e lumenjve, u përfituan edhe shumë toka nga kënetat. Siç thekson në studimin e tij inxhinier Dhimitër Vogli, nga 280 mijë toka bujqësore fushore, mëse 250 mijë janë trajtuar me vepra bonifikimi. Nga këto, 50 mijë hektarë kanë qenë tërësisht tokë e re. E kjo është bërë përmes ndërtimit të veprave të shumta, ku përfshihen mëse 31 hidrovore. Pikërisht një nga këto pjesë ka qenë edhe këneta e famshme e Maliqit.

Dy ishin fazat e mëdha, që kthyen kënetën e Maliqit në një ndër zonat më pjellore në vend. 1948-’52 dhe 1960-’64. Por, pse kjo zonë po merr sërish trajtën e dikurshme në pamje?

“Rikënetëzimi po ndodh kryesisht për efekt të uljes së torfës. Ulja e saj  është një proces natyror, për vetë natyrën dhe përbërjen e saj vetëngjishet, por ka edhe procese të tjera – si për shembull gjatë verës – kur shpesh herë digjet, e duke u djegur në shtresën e poshtme krijon ulje, gropa, dallgëzime në sipërfaqe të tokës. Por mund të jete edhe për shkak të ndërhyrjes së njeriut, ose erozionit, të cilat janë më të pakta. E para dhe më e rëndësishmja është procesi natyror i uljes së torfës në ish-kënetën e Maliqit”, tha inxhinier Vogli.

Për të bërë një investim të vërtetë, si formë për të shpëtuar këtë zonë, duhet më parë një studim serioz, që të analizojë të gjitha problemet e kësaj fushe.

“Duhen parë edhe problemet që ka Devolli, ato që ka Dunaveci me argjinaturat, me kaskadat që janë në gjendje të mjerueshme, duhen parë përrenjtë që derdhen në këta lumenj. Ndërkohë, i tërë rrjeti kullues i fushës duhet rikonstruktuar dhe duhet bërë praktikisht rrjet i ri. Ky rrjet, burimin e derdhjes, ose vendin nga mund të kullohet kjo fushë, duhet ta ketë duke ndërtuar një hidrovor, sepse praktikisht fusha sot nuk ka kuotë, nuk ka nivel që të derdhet në lumin e Devollit, sikurse derdhej më përpara”, shpjegoi Vogli.

Ka mëse 25 vjet, që investimet në argjinatura thuajse mungojnë, kanalizimet nuk funksionojnë, shtretërit e lumenjve janë dëmtuar, ndërtimtaria ka ndodhur aty ku s’duhej, nuk kryhen më bonifikime, pa llogaritur mbi 650 rezervuarë të ndërtuar në të gjithë vendin, shumica e digave të të cilëve sot nuk dihet se në çfarë gjendje janë.

Gjithçka me mungesën e kontrollit mbi territorin, mbi konfuzionin urban që u shoqërua me mbylljen e instituteve e me shmangien e profesionistëve, duke u hedhur në investime të verbëta që, jo vetëm nuk i shërbejnë askujt, por përkundrazi kanë dëmtuar jo pak. Sigurisht, ka ende kohë për të ndryshuar këtë realitet e për të ndërhyrë. Në të kundërt, nëse gjithçka do të lihet si më parë në pritje të përmbytjeve të radhës, duhet të jemi të sigurt se natyra do të hakmerret përsëri, pasi hakmarrja e natyrës sapo ka nisur.

Top Channel