Policia: Shpërthimet në Lazarat, qëllime terroriste

23/03/2015 00:00

Rikthimi i Lazaratit në qendër të vëmendjes së opinionit publik, këtë herë me anë të shpërthimeve të tritolit dhe jo për lëndët narkotike, sipas Policisë së Shtetit ka zyrtarisht një motiv dhe 5 persona përgjegjës.

“Janë veprime me qëllime terroriste, të motivuara nga operacioni i policisë në Lazarat në vitin 2014”, thuhet në një komunikatë zyrtare lidhur me 7 ngjarjet e fundit të ndodhura brenda këtij muaji në fshatin e Gjirokastrës.

Sipas policisë, përgjegjës për këto ngjarje, mes të cilave goditja me armë ndaj uniformave blu, vendosja e ekspolzivit në banesën e babait të kreut të Partisë Demokratike të Gjirokastrës Roland Bejko, në një shtyllë të energjisë elektrike, por edhe të disa shpërthimeve të tjera të ndodhura në banesa apo biznese, janë: Familjarët Arbion, Alban dhe Viktor Aliko, të moshave 25, 18 dhe 24 vjeç; si dhe Thimjo Ceka, 20 vjeç dhe Bervin Basho 22.

Të pestë këta persona, të shpallur në kërkim, janë autorë të së paku 8 ngjarjeve, 7 prej të cilave janë regjistruar vetëm nga data 10 mars deri më 22 mars 2015.

Blutë e Gjirokastrës bëjnë të ditur se veprimatria terroriste e tyre është bërë publike edhe në rrjetet sociale, ku mësohet se Arbion Aliko pak kohë më parë ka bërë thirrje për largimin e policisë nga Lazarati, duke i ftuar të gjithë banorët e këtij fshati që të sulmojnë unifromat blu.

Top Channel