Cameron, premtim elekt(oral)rizues: Synoj mandatin e dytë, pastaj vjen udhëheqësi i ri

23/03/2015 00:00

David Cameron ka rrëfyer për BBC se nuk do të synojë më të jetë kryeministër i Britanisë së Madhe, nëse konservatorët do të mbesin në pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme të majit, përtej këtij mandati të dytë.

Kryeministri britanik bëri të ditur se nëse rizgjidhet, ai do të shërbejë edhe 5 vite të plota në Parlamentin e ri, por më pas do të largohet nga “Number 10”, siç i referohen britanikët selisë së qeverisë. Pas mandatit të dytë – të prezumuar – të tij, siç shprehet edhe vetë “do të jetë koha për një lidership të ri”.

Cameron ka përzgjedhur Sekretaren e Brendshme, Theresa May, Kancelarin George Osborne dhe kryebashkiakun e Londrës, Boris Johnson, si pasardhësit e tij më të mundshëm. Në intervistën e dhënë për BBC, Cameron i përshkruan këta tre “pesha të rënda” të konservatorëve, si “njerëz të mëdhenj dhe me plot talent”.

Këto komente të kryeministrit mund të “elektrizojnë fushatën zgjedhore”. Sipas zv.redaktorit politik të BBC, James Landale, “ky moment jo vetëm që do të nisë një garë të gjatë për udhëheqësin e ardhshëm të konservatorëve, por do t’u dërgojë një mesazh votuesve se, nëse mbështesin kryeministrin tani, ai nuk do të synojë të garojë sërish e sërish, siç kanë bërë disa kryeministra të së kaluarës”. E megjithatë, Landale thekson se ky “mund të jetë një bast i rrezikshëm, pasi ekziston mundësia që disa votues të mendojnë se Cameron po tregohet arrogant duke parashikuar rezultatin e zgjedhjeve, gjë që mund ta largojnë atë nga Downing Street brenda pak javësh”.

Kryeministri britanik është shprehur gjatë intervistës së punën e tij deri më tani e konsideron si “gjysmë të përmbushur”, duke kthyer fokusin kryesisht tek ekonomia “e ardhur në vete”, dhe se do të dëshironte “ta përfundonte këtë punë” me reformat e edukimit dhe mirëqenies.

“Megjithatë, gjithnjë vjen një moment kur nevojitet një fytyrë e re dhe një udhëheqës i ri, ndaj dhe mund të them se Partia Konservatore ka disa pretendentë të tillë, si Theresa May, George Osborne dhe Boris Johnson. Ju e dini që mes tyre ka shumë talent, madje unë jam i rrethuar nga njerëz jashtëzakonisht të mirë”, tha kryeministri Cameron, i cili më tej shton se “e kam thënë edhe më parë që do të synoj një mandat të dytë, por pas tij besoj se do të jetë koha e duhur për të ndryshuar”.

“Mandatet politike janë të tilla, dy janë të mrekullueshme, por tre mund të jenë tepër”, ka deklaruar Cameron. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i laburistëve, të cilët janë shprehur se Cameron po “e konsideron popullin britanik si të mirëqenë konservator”.

Sekretari i Jashtëm në hije, Douglas Alexander, njëkohësisht edhe koordinatori i laburistëve për zgjedhjet e përgjithshme, tha se “Kjo është një shfaqje tipike arrogante e David Cameron, i cili prezumon një mandat të tretë të konservatorëve në 2020-n, përpara sesa t’i jepet e drejta popullit britanik të vendosë në zgjedhje. Në Mbretërinë e Bashkuar është populli britanik ai që vendos se kush qëndron në pushtet, e jo kryeministrat”.

Top Channel