Kërcënimi i “ISIS” ndaj personelit ushtarak, Holder: Shqetësim serioz. Edhe FBI heton

23/03/2015 00:00

Një grup i panjohur deri përpara fundjavës së kaluar, i cili vetëquhej “Divizioni i Hackerave të Shtetit Islamik” publikoi online emrat, fotot dhe adresat e rreth 100 trupave ushtarakë amerikanë, duke bërë thirrje për sulme ndaj tyre.

Kushdo ta ketë bërë këtë publikim, i cili u shfaq online të shtunën përpara sesa të zhdukej, pretendonte se kishte “vjedhur” bazat e të dhënave të ushtrisë amerikane, duke publikuar kështu 100 emra “në mënyrë që vëllezërit tanë rezidentë në Amerikë të veprojnë ndaj tyre”.

Gjithsesi, rastet kur shfaqen sulme të tilla si “të një ujku të vetëm” në Shtetet e Bashkuara, e për më tepër lloji i mesazhit të përçuar online, janë tipike të kërcënimeve që zyrtarët ligjzbatues të vendit i marrin mëse seriozisht.

Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder bëri të ditur muajin e kaluar se kërcënimi i një sulmi nga një person i vetëm brenda Shteteve të Bashkuara është një ndër ato gjëra që e mbajnë atë gjithnjë zgjuar, edhe përgjatë netëve. Megjithatë, ende nuk është siguruar ndonjë provë e vetme, që të vërtetojë pretendimet e bëra nga ky grup i panjohur.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Pentagonit, tha për CNN se nuk mund të konfirmonte vërtetësinë e publikimit online që më pas u zhduk nga qarkullimi, por për këtë janë duke u kryer hetime. Edhe FBI ka nisur hetime nga ana e saj, deklaroi për CNN një tjetër zyrtar ligjzbatues, duke shtuar se ka ende dyshime mbi besueshmërinë e atyre që fshihen pas videos.

Shërbimi i Hetimeve Penale të Marinës ka njoftuar të gjithë marinsat, emrat e të cilëve u publikuan në atë video “kërcënimi aktualisht të paverifikuar”, tha një zëdhënës i Marinës. Ata gjithashtu u udhëzuan të kufizojnë sasinë e informacioneve personale të shfaqura online në lidhje me vetë ata.

Ushtria amerikane, përmes një deklarate të së dielës, bëri të ditur se po punonte së bashku me Pentagonin “për të përcaktuar vlefshmërinë e çdo kërcënimi potencial”, ndërsa i bën jehonë veprimit të fundit të Marinës, që ka këshilluar ushtarët “të marrin masa përkujdesjeje për të kufizuar shpërndarjen e informacioneve personale online”.

Deri më tani, besohet se anëtarë të ISIS apo simpatizantë të tyre kanë kërkuar nëpër media sociale për çdo informacion të mundshëm mbi personelin ushtarak, për të siguruar sa më shumë të munden e për të kërcënuar madje edhe partneret e ushtarëve të përmendur.

Në fund të nëntorit, Byroja Federale e Hetimit kishte lëshuar një paralajmërim ndaj personelit ushtarak amerikan se ISIS po bënte thirrje për sulme ndaj tyre. Burimi i CNN thotë se “individët, që ndodhen jashtë SHBA-ve po kërkojnë për persona të të njëjtës ideologji me ta brenda SHBA-ve për të ndërmarrë sulme terroriste”.

Paralajmërimi u bënte thirrje ushtarëve të “rishikonin prezencën e tyre nëpër rrjetet sociale për çdo informacion që mund të tërheqë vëmendjen e ekstremizmit të dhunshëm”. Paralajmërimi shtonte gjithashtu se autoritetet ishin të shqetësuara se anëtarë të ISIS po “pikasnin dhe vlerësonin” individë të ndryshëm në SHBA, që mund të jenë të interesuar në kryerjen e sulmeve të tilla.

Top Channel