“Shqip”, integrimi i dy shteteve shqiptare

23/03/2015 00:00

Një vit më parë, në Prizren, qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës
zhvilluan mbledhjen e parë të përbashkët, një mbledhje e vlerësuar
historike jo vetëm për simbolikën mbartëse, por edhe për hedhjen e
piketave dhe strategjisë për një bashkëpunim të gjithanshëm.

Dy kryeministrat i kanë mëshuar nevojës për të patur një integrim të plotë mes dy shteteve shqiptare para integrimit europian, një nevojë kjo për të qenë më konkurrues, sidomos ekonomikisht me vendet e tjera.

Këtij objektivi i shërbeu mbledhja e kësaj të hëne në Tiranë e dy qeverive, ku produkt ishte nënshkrimi i 11 marrëveshjeve në fusha të ndryshme dhe dakordësia për të vazhduar bisedimet në të ardhmen.

Në ç’fazë të këtij bashkëpunimi jemi? Cilat janë problematikat? Sa konkurrues jemi me ekonomitë e tjera, sidomos ato të rajonit? Ashtu si në takimin historik të Prizrenit edhe mbledhja e zhvilluar në Pallatin e Kongreseve u përcoll nga emisioni “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga, me panelin e zhvendosur pikërisht në tryezën ku u zhvillua kjo mbledhje dhe me të ftuar ministra nga kabineti “Mustafa” dhe kabineti “Rama”, analistin Shpëtim Nazarko dhe kryeredaktorin e Revistës së Mbrëmjes në Top Channel, Pandi Gjata.

I pari që mori fjalën ishte ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Edmond Panariti.  “Pa integrim real të vetes tonë nuk mund të integrohemi në Bashkimin Europian. Duhet të kemi standarde unike për të patur një ofertë unike dhe të jemi plotësues me njëri-tjetrin. Ne nuk mund të pengojmë strukturën e prodhimit, por mund të orientojmë fermerët ku të prodhohet. Të jemi një treg plotësues dhe konkurrues me të tjerët, jo me njëri-tjetrin”, tha Panariti.

Ministri i Agrokulturës në Kosovë, Memli Krasniqi tha se marrëveshjet e nënshkruara dhe përshkallëzimi i bashkëpunimit janë pritur me pozitivitet si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Ai mbështeti ministrin Panariti sa i përket shndërrimit të një tregu plotësues në prodhimet bujqësore dhe blegtorale.

Panariti solli si shembull progresi arritjen e një marrëveshjeje mbi lëvizjen e lirë të grurit dhe miellit, por edhe përmirësimin e standardeve të tyre.

Arsimi është fusha ku është përparuar më shumë me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh. ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Lindita Nikolla vlerësoi disa prej tyre.

“Përveç abetares, kemi një kurrikul të njehsuar. Do të njehsojmë edhe kualifikimin e mësuesve përmes standardeve të përbashkëta. Ekipet kanë nisur nga puna dhe kjo do të jetë shumë shpejt edhe zyrtare. Dy vendet do të punojnë për një reformë në arsimin e lartë. Jemi duke projektuar këtë reformë dhe në maj do të kemi një konferencë me më përfaqësuesit e arsimit ku do të ndajmë qasjet tona”, tha Nikolla.

Edhe ministri i Arsimit të Kosovës, Arsim Bajrami i cilësoi të suksesshme takimet.

“Arsimi mund të ketë rezultate më të mira sepse është jashtë konjukturave politike dhe ne jemi përqendruar ta mbajmë larg patriotizmit folklorik dhe të njehsojmë standardet. Sistemi është plotësues në shumë sisteme dhe ne kemi njehsuar kurrikulën. Sot kemi nënshkruar marrëveshjen për standarde të njëjta, jo vetëm manuali. Kemi diskutuar edhe mundësinë e ofrimit të një arsimi të unifikuar në diasporë. Shqipëria dhe Kosova do të ofrojë për shqiptarët në diasporë një kurrikulë unike, licensë unike për mësuesit dhe do t’u ofrohet edhe diasporës shqiptare të Maqedonisë dhe Malit të Zi”, tha ai.

Kryeredaktori i Top Channel tha se më shumë se firmat e hedhura mbi letra, qytetarët si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, janë të interesuar të shohin e prekin rezultatet e këtyre. Si përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, ashtu edhe ata të qeverisë së Shqipërisë, thanë se rezultatet kanë nisur të reflektohen në marrëdhëniet tregtare, ekonomike dhe kulturore mes dy shteteve.

Për analistin Shpëtim Nazarko, problemet janë shumë më të mëdha. Ai u ndal tek volumi i shkëmbimeve tregtare Shqipëri-Kosovë në krahasim me shkëmbimet përkatëse me vendet e rajonit, kryesisht Serbinë dhe Maqedoninë.

Në fund, ministri Panariti tha se po shkohet gradualisht drejt heqjes së barrierave proceduriale, tarifore dhe doganore mes dy vendeve dhe po shkohet drejt objektivit për një treg të përbashkët dhe konkurrues.

Top Channel