Tunizi, shtyhet për shkaqe sigurie hapja e muzeut të kryeqytetit

24/03/2015 00:00

Rihapja e dyerve të muzeut Bardo në kryeqytetin e Tunizisë, e parashikuar për këtë të martë, është shtyrë për në fundjavë për arsye sigurie.

Zyrtarët tunizianë deklaruan më herët se me hapjen e muzeut donin t’i tregonin botës që atentatorët nuk ia arritën qëllimit, por informacionet e fundit nga shërbimet e inteligjencës bënë që ta shtyjnë ceremoninë për të dielën.

Në ambjentet e muzeut janë lejuar të hyjnë vetëm mediat, ndërsa jashtë tij është mbajtur një tubim i vogël në nder të 22 viktimave, shumica e të cilave turistë.

Autoritetet lokale druhen se sulmi, i marrë përsipër nga Shteti Islamik, do të dëmtojë industrinë turistike të vendit.

Ditën e hënë, Kryeministri i Tunizisë shkarkoi 6 shefa policie lidhur me ngjarjen. Zyra e Habib Essid bëri të ditur se, shefi i qeverisë kishte konstatuar mangësi serioze në aspektin e sigurisë, gjatë një vizite në muze, ku ndodhet një koleksion i madh i mozaikëve romakë dhe objekte të tjera antike.

Dy nga terroristët në sulmin e së mërkurës së kaluar mbetën të vrarë nga forcat e sigurisë gjatë operacionit për lirimin e pengjeve, ndërsa një i tretë është ende në arrati.

Sulmi ishte më i rëndi në Tunizi që nga kryengritjet që çuan në rrëzimin e udhëheqësit Ben Ali, që qeveriste vendin prej disa dekadash.

Të dyshuar të tjerë janë arrestuar lidhur me ngjarjen, edhe pse nuk kanë marrë pjesë në sulm. Atentatorët mendohet se janë stërvitur në Libi, në një zonë të kontrolluar nga militantët e Shtetit Islamik.

Në Tunizi është verifikuar së fundmi një rritje e valës së ekstremizmit islamik, që nga revolucioni i vitit 2011, që i dha jetë të ashtuquajturës Pranvera Arabe.

Top Channel