Presidenti Nishani, takime në Tuz të Malit të Zi

24/03/2015 00:00

Në vijim të vizitës shtetërore në Malin e Zi, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani vizitoi dhe pati takime edhe në komunën Tuz me shumicë shqiptare.

Nishani u prit fillimisht në shkollën 9-vjeçare “Mahmut Lekiç” e më pas u takua me përfaqësues të partive politike si dhe të zgjedhur vendorë.

Presidenti Nishani i informoi të zgjedhurit vendorë për takimet me autoritetet malazeze dhe mesazhet e përcjella.

Duke vlerësuar rolin e komunitetit shqiptar në Mal të Zi, si faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe urë lidhëse, kreu i shtetit theksoi se, “gjeti angazhim maksimal e të sinqertë nga drejtuesit shtetërorë për të adresuar kërkesat e pakicës shqiptare”.

Më herët, në takimin me homologun e tij malazez, Filip Vujanoviç, Nishani kërkoi një zgjidhje përfundimtare statusit të Tuzit.

“Zgjidhja përfundimtare e statusit të Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën”, theksoi Nishani.

Top Channel