Zgjedhjet lokale, OSBE nis trajnimet për rolin e policisë

24/03/2015 00:00

Me afrimin e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, Prezenca e OSBE-së në
Shqipëri filloi sot një sërë trajnimesh për rolin e policisë në
zgjedhje.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi tha se, siguria në zgjedhje është shumë e rëndësishme.  “Do të manifestojmë standardet më të larta profesionale dhe do të bashkëpunojmë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Ndërsa ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig premtoi mbështetje për trajnime të tilla, pasi “ato ju japin mundësi të njiheni me procedurat dhe standardet”.

Në fazën e parë të trajnimit, në datat 24-27 mars, do të marrin pjesë 110 zyrtarë të nivelit të lartë e të mesëm të policisë, përfshirë zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtorët e qarqeve, drejtorët e policisë kufitare dhe të emigracionit, si dhe shefat e komisariateve.

Më pas, Prezenca e OSBE-së do të trajnojë 6 grupe trajnuesish, të cilat do ta shtrijnë trajnimin te rreth 6300 punonjës policie, deri më 30 prill.

Top Channel