Vendimi i vështirë i një ylli kinemaje

24/03/2015 00:00

Fëmijët e mi ishin të frikësuar, se do të më humbisnin për shkak të sëmundjes, që i mori jetën nënës sime. Tani jam e sigurt, se ata nuk do të thonë “mamaja jonë ndërroi jetë nga kanceri”.

Aktorja Angelina Jolie ka marrë një tjetër masë për të parandaluar sëmundjen vdekjeprurëse. Këtë radhë, ajo ka hequr vezoret dhe tubat e falopit, sepse në një analize diagnostikuese ylli i Hollivudit rezultoi se kishte 50 për qind rrezik për t’u prekur. Kjo ndërhyrje vjen dy vjet, pasi aktorja kreu një mastektomi të dyfishtë, prej rrezikut të lartë prej 87 për qind për t’u prekur nga kanceri i gjirit.

“Pasi e kuptova që ky ishte realiteti im, vendosa të jem proaktive dhe të minimizoja rrezikun sa të mundja. Kështu bëra ndërhyrjen për heqjen e të dy gjinjve të mi, pasi rreziku aty ishte shumë më i lartë sesa në vezore dhe se ndërhyrja ishte shumë komplekse”, është shprehur dy vite më parë Jolie.

Me zgjedhjen e saj, ajo kërkon të inkurajojë dhe t’i tregojë çdo gruaje se ka opsione, njohja e të cilave është pushtet për të marrë vendimin e duhur.

“Nuk është e lehtë të marrësh këto vendime, por është e mundur që të mbash nën kontroll shëndetin tënd. Unë i thashë vetes se do të jem e qetë, e fortë. Nuk kam asnjë arsye, për të menduar se nuk do të jetoj, për të parë fëmijët e mi të rriten dhe të njoh nipërit e mbesat në të ardhmen”, është shprehur Jolie.

Në një letër të shkruar në “New York Times”, reagimeve dhe polemikave që ka ngjallur me këtë vendim mbi shëndetin e saj, ajo u është përgjigjur duke thënë se nuk ndihet më pak femër se më parë.

Top Channel