Banka Botërore, 32 milionë euro për përmirësimin e sistemit shëndetësor

24/03/2015 00:00

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka nënshkruar sot marrëveshjen e
huasë me Bankën Botërore, një marrëveshje që siguron financimin e
nevojshëm për Projektin e Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor në
Shqipëri, nëpërmjet një huaje në shumën 32.1 milion euro.

Burime zyrtare të Ministrisë së Financave bënë të ditur, se projekti do të bashkëfinancohet gjithashtu nga qeveria shqiptare në vlerën 4 milionë euro, shumë që do të shërbejë për financimin në masën 37%, të punimeve të rehabilitimit fizik dhe përmirësimit të infrastrukturës spitalore, si dhe kontributin në pagesat e detyrimeve tatimore të lidhura me Projektin.

Projekti i Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor kontribuon në forcimin e administrimit dhe qeverisjes në  spitalet publike; përmirësimin e mënyrës së financimit shëndetësor; zbatimin e sistemeve të informacionit për të përmirësuar efikasitetin dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor në Shqipëri.

Nëpërmjet kësaj huaje dhe kostove lokale të financuara nga qeveria shqiptare do të punohet për reformimin e sektorit spitalor, duke krijuar një kornize të shëndoshë ligjore dhe manaxheriale për ofrimin e shërbimeve efikase; forcimin e menaxhimit të performancës dhe planifikimit, tejkalimin e kufizimeve operacionale në ofrimin e shërbimeve, si dhe forcimin e sistemit të referimit.

Gjithashtu, Projekti synon përmirësimin e monitorimit  dhe menaxhimit të cilësisë së shërbimit, duke ngritur një sistem gjithëpërfshirës të menaxhimit të informacionit shëndetësor (HMIS), dhe një sistem për menaxhimin e pajisjeve mjekësore dhe mirëmbajtjen e tyre. Projekti mbështet edhe iniciativat për të reformuar financimin shëndetësor në përgjithësi, për të përmirësuar sistemin e blerjes dhe shpërndarjes së produkteve farmaceutike dhe përdorimit të pajisjeve mjekësore, si dhe për të vlerësuar mundësitë e zgjerimit të mbulimit shëndetësor universal duke përdorur kalimin në një regjim të taksimit të përgjithshëm.
 

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri Cani për palën shqiptare, dhe nga znj. Tahseen Sayed, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore për Shqipërinë
 

Projekti do të zbatohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe parashikohet të përfundojë në 28 shkurt 2021.
 

Sipas ministrisë së Financave, është hera e parë që buxheti i shëndetësisë në Shqipëri për vitin 2015 e kalon nivelin e 400 milionë dollarëve. Në krahasim me vitin 2014, rritja nominale e buxhetit të shëndetësisë është 2,3 miliardë lekë, duke përfshirë transfertën nga buxheti i shtetit, si dhe kontributet  e sigurimeve shëndetësore, që rritet në krahasim me vitin 2014 me 6%.
 

Buxheti i Shëndetësisë për vitin 2015 është sa 2.8% e PBB-së. Viti 2015 është viti i zbatimit të plotë 365 ditë të Programit të Kontrollit Shëndetësor Bazë Pa Pagesë, për shqiptarët rezidentë të grupmoshës 40-65 vjeç.
 
Ndërkohë, në investimet kapitale, përfshihen fillimi i lëvrimit të kredisë së mësipërm të Bankës Botërore për mbështetje në sektorin e shëndetësisë, fillimi i lëvrimit të kredisë prej rreth 17 milionë euro e Bankës së Këshillit të Europës për shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme dhe spitalin e sëmundjeve të brendshme në QSUT; 5 milionë euro të kredisë së Qeverisë Italiane për Spitalin Universitar të Traumës për pajisje të reja mjekësore; 14 milionë euro të kredisë së Qeverisë Austriake për shëndetësinë elektronike (e-Health); si dhe, 2 milionë euro të kredisë së Qeverisë Austriake për fuqizimin e programit kombëtar të radioterapisë.

Top Channel