Shërbimi Social reagon për rastin e familjes Gëzdari, ofron disa mundësi

24/03/2015 00:00

Shërbimi Social Shtetëror ka reaguar sot për rastin e familjes Gëzdari
nga fshati Farkë, në Tiranë, pas aktit të një prej anëtarëve të familjes
që kërcënoi të hidhej nga pema, nëse Inspektoriati Ndërtimor do të
shembte banesën e tyre.

Sipas Shërbimit Social, familja Gëzdari, ashtu sikurse dhe banesa e tyre, konsiderohet në gjendje të rrënuar. Asnjë nga 5 anëtarët e saj nuk është në punë.

SHSSH ka ofruar transferimin e familjes Gëzdari në Qendrën Tranzitore të Emergjencave, zhvendosjen e gjendjes civile nga Farka në Tiranë, regjistrimin si familje e pastrehë në mënyrë që të përfitojë nga programet sociale të strehimit dhe regjistrimin e anëtarëve të familjes, të aftë për punë, pranë zyrave të punës dhe mbështetjen e vazhdueshme me paketë ushqimore për dy muaj, deri në ndërtimin e një jetese të pavarur jashtë Qendrës Tranzitore të Emergjencave.

Paraditen e sotme, djali 26-vjeçar i familjes Gëzdari, kërcënoi se do të hidhej nga pema ku ishte ngjitur, në shenjë proteste ndaj aksionit të Inspektoriatit të Ndërtimit për shembjen e shtëpisë së tij. Vetëm pas gati tri orësh dhe pas thirrjeve të policisë, ai ka pranuar të zbresë nga pema.

Top Channel