Rusia, avionë ushtarakë me qira Argjentinës; lëvizja acaron Britaninë

24/03/2015 00:00

Rusia duket se po punon mbi një marrëveshje për t’i dhënë me qira Argjentinës 12 avionë bombardues me rreze të gjatë veprimi, çka ushqen frikën e një pushtimi të mundshëm të ri në ishujt Falkland.

Sipas britanikes “The Sun”, avionët “Sukhoi Su-24” do të dërgohen në Buenos Ajres në këmbim të furnizimit me mish, i cili duket se nuk gjendet mjaftueshëm në tregun rus, për shkak të sanksioneve të Bashkimit Europian.

Vladimir Putin thuhet të jetë duke ndihmuar riarmatosjen e këtij vendi dhe, nëse është vërtetë kështu, atëherë situata merr një kthesë të rrezikshme duke i shtyrë vetë zyrtarët britanikë ta përshkruajnë si të mundshëm skenarin e një mësymjeje të re në territorin që ndodhet në jug të Atlantikut.

Londra po përgatitet të dërgojë trupa dhe pajisje ushtarake shtesë në ishujt në fjalë dhe më e ngutshme për momentin paraqitet nevoja për helikopterë transporti. Të tilla vendime, sipas ekspertëve, nuk pasqyrojnë veçse shqetësimin ndaj një kërcënimi në rritje.

Arqipelagu i ishujve të ndodhur vetëm 483 km nga brigjet e Argjentinës është arsyeja e një konflikti të hershëm mes kësaj të fundit dhe Britanisë. Anglezët këmbëngulin se ishte John Davis ai që i zbuloi këto toka në 1592-shin, ndërsa argjentinasit thonë se të parët aty kanë shkelur spanjollët.

Pretendimet për zotërimin e ishujve kanë vazhduar në shekuj, por kulmin e tij konflikti mes dy vendeve e arriti majin e 1982-shit, kur në atë që u përshkrua si gjest çnjerëzor, një nëndetëse britanike fundosi luftanijen argjentinase “ARA General Belgrano”.

Të 323 jetët e humbura prej sulmit përbëjnë gati gjysmën e totalit të viktimave të palës argjentinase gjatë gjithë luftës për kontrollin e ishujve në fjalë.

Top Channel