Elbasan, rrugës së fshatit i del pronari

24/03/2015 00:00

20 familje të fshatit Hajdaran në rrethin e Elbasanit nuk mund të
kalojnë për në tokat e tyre bujqësore pasi u kanë bllokuar rrugën që të
çon atje.

Sipas banorëve, kjo është e vetmja rrugë që të çon në këto toka dhe personi i cili pretendon pronësinë e ka bllokuar atë në mënyrë abuzive edhe pse është në vazhdim një proces gjyqësor. Më të moshuarit tregojnë se kjo rrugë ka qenë gjithmonë ekzistuese dhe është terren publik.

Kryetari i Komunës, mbështet pretendimet e banmorëve dhe ngre shqetësimin e ndonjë konflikti të mundshëm mes tyre.

“Banorët kanë plotësisht të drejtë, sepse kanë mbi 20 vjet që vuajnë mbi një rrugë kalimi. Ne jemi hasur dhe jemi ndeshur në gjykatë dhe aktualisht kemi një vendim gjykate që rrëzon vendimin e Komunës”, thotë Lutfi Lala, kryetar i Komunës Shushicë.

Në rast se procesi gjyqësor zgjat këta banorë nuk mund të mbjellin tokat e tyre me kulturat e stinës dhe ky është një fshat që ushqehet me bujqësi. Për të evituar konfliktet personale ata kanë kërkuar ndihmën e policisë që t’u hapë rrugën derisa procesi gjyqësor të mbarojë.

Top Channel