Partia Demokratike i ka shprehur Komisionerit Hahn shqetesimin për hapat mbrapa ne standardet dhe prioritetet e integrimit.

Zoti Basha e takoi Komisionerin përpara nisjes së Dialogut të Nivelit të Lartë dhe e siguroi për vendosmërinë e opozitës në luftën pa kompromis me krimin e lidhur me qeverinë.

Kryetari i Partisë Demokratike i tha Komisionerit Hahn se, krimi ka kapur institucionet deri në nivelin më të lartë të Parlamentit, duke sjellë një klimë frike dhe kërcënimesh në shoqëri dhe në media.

Kryetari Basha nënvizoi se Partia Demokratike është e vendosur në këtë përballje pa kthim me krimin e veshur me pushtet dhe se nga fitorja e kësaj beteje me çdo çmim varet e ardhmja e demokracisë shqiptare. Në këtë kuadër, zoti Basha informoi Komisionerin Hahn për platformën dekriminalizuese dhe ndryshimet kushtetuese e ligjore, që opozita do të paraqesë në Parlament, me qëllim largimin e përfaqësuesve të botës së krimit nga Parlamenti dhe administrata publike.

“Pa çrrënjosur krimin nga politika, Shqipëria nuk mund të ecë përpara me reformat e tjera prioritare për integrimin e plotë europian”,  theksoi zoti Basha.

Sipas njoftimit zyrtar të Partisë Demokratike, Komisioneri Hahn i rikonfirmoi kreut të opozitës mbështetjen e Bashkimit Europian në luftën kundër krimit dhe për zbatimin e reformave për integrimin europian të vendit.

Top Channel