40% e komunitetit rom, ende analfabetë. Nikolla: Po ndjekim politika ndihmuese

24/03/2015 00:00

Vitet e tranzicionit kanë qenë më të vështira për romët. Studimet dëshmojnë se rreth 40% e tyre janë analfabetë dhe se rreth 15% nuk kanë përfunduar arsimin e detyruar fillor.

“Gjatë periudhës 2015-2018 rreth 12 për qind e fuqisë punëtore nga komuniteti rom do të dalë në tregun e punës. Por rreth 40 për qind e tyre, që dalin në tregun e punës për herë të parë, do të jenë analfabetë. Rrjedhimisht, mundësitë e integrimit të tyre në tregun e punës dhe mundësitë që ata të punësohen në sektorin formal janë jashtëzakonisht të pakta”, tha Ilir Gedeshi, studiues.

Ministrja e Arsimit tha se, gjatë këtij viti janë regjistruar 5766 fëmijë romë, pra 1601 më shumë se një vit më parë. Janë dërguar 921 fëmijë romë në arsimin parauniversitar dhe 3219 nxënës përfitojnë tekste falas, por ende duhet bërë më shumë.

“Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, numri i nxënësve romë që frekuentojnë shkollën mbetet në shifra ende të pakënaqshme. Ende nxënësit romë përbëjnë kontigjentin kryesor për braktisje të shkollës, që do të thotë se për të gjitha institucionet, duke filluar nga Ministria e Arsimit e duke zbritur poshtë në Drejtoritë Rajonale Arsimore, deri te çdo drejtues i institucioneve shkollore parauniversitare, ka ende shumë punë për të bërë”, tha ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Por veç analfabetizmit, vitet e fundit vihet re se, si pasojë e jetesës në zona të caktuara janë krijuar shkolla ku ka vetëm romë, çka ka çuar në rritjen e diskriminimit.

“Ne mbetemi të angazhuar në partneritet me qeverinë, për të siguruar përfshirjen e hershme të çdo fëmije rom në arsimin parauniversitar, falas të paktën për dy vitet e para. Të vëmë në dispozicion burimet e nevojshme, që të sigurohet dhe të mundësohet arsimi bazë për të gjithë fëmijët. Të marrim masa brenda mjedisit shkollor për të luftuar diskriminimin dhe përjashtimin. Të krijojmë mundësi të barabarta, duke kapërcyer barrierat sociale dhe ekonomike, me të cilat përballen romët”, tha Antonella Scolamiero, përfaqësuese e UNICEF.

Studimet tregojnë se gjatë viteve të fundit, papunësia, por edhe mungesa e një strehe të sigurt, e kanë bërë edhe më të vështirë arsimimin e fëmijëve romë.

Top Channel